Aktuale

VIDEO/ “Hape derën se e theva, i q*va…”- Tregtarët e Vlorës protestë në Bashki: S’po na lënë të hapim dyqanet dhe të punojmë, kemi miliona lekë dëme!

Tregtarët e tregut të fruta-perimeve, por edhe ata të tregut industrial në qytetin e Vlorës, janë mbledhur këtë të hënë (11 maj) sërish në protestë, pasi nuk janë lejuar të hyjnë jo vetëm në ambientet e tregut, por as në dyqanet e tyre.

Sipas tregtarëve, situata ka ardhur si pasojë e punimeve për rikonstruksionin e tregut të madh të qytetit, investim i cili ka nisur prej pak ditësh.

Ata shprehen se bllokimi i hyrjes po u shkakton humbje të konsiderueshme ekonomike, pasi kanë mallra me vlerë miliona lekë që rrezikojnë të dëmtohen, ndërsa nuk mund të hapin as qepenat e bizneseve të tyre.

Ndërkohë që dyqanet që janë në treg në vendimin e parë do të lejoheshin të hapeshin, por jo të dilnin me mallin në rrugë, por as sot dyqanet nuk janë lejuar të hapen.

Pas grumbullimit në treg, protestuesit janë zhvendosur drejt ambienteve të Bashkisë së Vlorës, ku kanë kërkuar një takim me kryetaren Bashkisë, Brunilda Mersini.

Në shenjë revolte, disa prej tyre kanë shtyrë edhe portën kryesore të institucionit.

“Hape derën, nuk është dera jote, është dera jonë! Hape derën… hape se e theva i q… m*trën!”, shprehen tregtarët të revoltuar teksa kërkuan të hynin në institucion dhe të takoheshin me kryebashkiaken.

Tregtarët kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme për aksesin në bizneset e tyre, ndërsa vijojnë të qëndrojnë para Bashkisë në pritje të një reagimi nga autoritetet lokale.“Kam 20 vjet, paguaj licencë për këtë punë, marr mall miliona lekë, edhe unë edhe kjo motra këtu, duam të punojmë. Kam dyqan, paguaj qiranë, nuk na lënë, e kanë bërë me gardh atje, me policë, nuk na lënë na marrin na heqin. Edhe ky që është në shesh të vij bashkë me mua, mirë tregu është po s’na lënë në dyqan. Mbajmë familjen me këtë punë, ku do vemi ne tani”, shprehet një nga tregtarët.

“Na thanë se dyqanet që janë ekzistues do punojnë. Vijmë këtu, na bllokojnë hyrje-daljet e nuk na lejojnë. Ne dyqanet kemi bërë furnizime pa ndërprerë kurse tani vijnë papritur e na thonë s’e hapni dot. Dyqanet kanë bërë furnizim si gjithmonë dhe tani na thonë jo, është e padrejtë. Na kanë thënë punimet do bëhen, por dyqanet do qëndrojnë. Si vijnë papritur dhe na ndalojnë, është turp”, thotë një tjetër tregtar.

Të Ngjashme