Hila ka deklaruar se e kishte shkatërruar vetë hard-diskun. Sipas tij, arsyeja ishte se nuk ishte i sigurt se nga vinte ndërhyrja dhe kishte frikë se mund të ndërhynin sërish dhe të merrnin të dhëna në distancë
TIRANË- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës, për videot intime që kanë qarkulluar në media, që kishin për protagonist kompozitorin Adrian Hila, dhe disa artiste të njohura në vend. Mësohet se tashmë çështja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës, dhe pas hedhjes së shortit, dosja i ka kaluar prokurorin Julian Xhengo.
Mësohet se në lidhje me çështjen në fjalë janmë bërë disa kallëzime në polici, një prej tyre është bërë nga vetë kompozitori me pretendimin se i janë hakeruar kamerat e sigurisë. Nga ana tjetër edhe këngëtarja Eli Fara, me pretendimin për shkelje të privatësisë. Ndërsa dje aktorja Monika Lubonja publikoi gjithashtu denoncimin e bërë ndaj Hilës, të cilën e akuzon për dy vepra penale, që janë fyerja, dhe ndërhyrja e padrejtë në jetën private.
Policia ka dyshime që kompozitori ka tentuar të prishë provat, pasi është konstatuar se hardisku me të dhënat e kamerave të sigurisë, ka rezultuar i dëmtuar.
Hila ka deklaruar se e kishte shkatërruar vetë hard-diskun. Sipas tij, arsyeja ishte se nuk ishte i sigurt se nga vinte ndërhyrja dhe kishte frikë se mund të ndërhynin sërish dhe të merrnin të dhëna në distancë.
Tashmë, pas hedhjes së shortit, hetimi i çështjes do të ndiqet nga prokurori Julian Xhengo në Prokurorinë e Tiranës.
Kjo e fundit pas dokumentimit të çështjes, brenda pak orësh pritet t’ia lërë dosjen sërish policisë në dorë, duke i deleguar edhe detyrat përkatëse që ndihmojnë në hetimin e plotë të ngjarjes./Shkroi SHEKULLI
