Vidhen armë, 70 fishekë, para të gatshme, stoli ari dhe sende të tjera me vlerë
Një vjedhje e rëndë është raportuar në Ferizaj, ku persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në një shtëpi dhe kanë vjedhur armë zjarri, para dhe sende të tjera me vlerë.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 11 tetor 2026, rreth orës 20:00, nga një grua kosovare.
Nga shtëpia janë vjedhur një pushkë gjuetie, një pistoletë, 70 fishekë, para të gatshme, stoli ari, një çantë, dy orë dore dhe gjësende të tjera.
Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar nga njësitë përkatëse policore, ndërsa deri më tani nuk janë dhënë detaje për identitetin e personave të dyshuar.
