Numri i mjeteve rrugore në Shqipëri ka kaluar për herë të parë pragun e 1 milion njësive. Në fund të vitit 2025, në vend rezultonin të regjistruara 1 milion e 48 mijë mjete, me status aktiv ose të çregjistruara përkohësisht, 9.3% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Pjesën dërrmuese të parkut rrugor e zënë autoveturat, të cilat përbëjnë 80.8% të totalit. Rritja e numrit të makinave ka çuar edhe në zgjerimin e nivelit të motorizimit, ku gjatë vitit 2025 u regjistruan 361 autovetura për çdo 1,000 banorë, nga 326 që ishin në vitin 2024.
Tirana ka më shumë makina, Durrësi kryeson për frymë
Më shumë se një e treta e mjeteve rrugore në vend janë të regjistruara në qarkun e Tiranës. Kryeqyteti përqendron 34.7% të totalit, i ndjekur nga Durrësi me 13.6% dhe Fieri me 9.1%.
Megjithatë, në raport me numrin e banorëve, Durrësi rezulton qarku më i motorizuar në Shqipëri. Në këtë qark numërohen 535 autovetura për çdo 1,000 banorë, ndjeshëm mbi mesataren kombëtare.
Më shumë se gjysma e mjeteve janë prodhuar para vitit 2010
Pavarësisht shtimit të numrit të automjeteve, të dhënat tregojnë se parku automobilistik shqiptar vijon të jetë relativisht i vjetër. Rreth 55.3% e mjeteve janë prodhuar gjatë periudhës 2000-2010, ndërsa 45.7% e autoveturave kanë një moshë nga 11 deri në 20 vjet.
Edhe automjetet me kambio manuale vijojnë të dominojnë tregun, duke përbërë 55.9% të të gjitha mjeteve rrugore, pavarësisht se mjetet me kambio automatike po shtohen me shpejtësi.
Sa u përket markave, Volkswagen mban vendin e parë, me 19.7% të autoveturave në qarkullim, ndërsa Mercedes-Benz renditet i dyti, me 18.1% të totalit.
Nafta dominon, por makinat elektrike po rriten me shpejtësi
Nafta mbetet karburanti kryesor i përdorur nga automjetet shqiptare. Në vitin 2025, 72.1% e autoveturave përdornin naftë, duke dëshmuar se tranzicioni drejt mjeteve më pak ndotëse është ende në fazat e para.
Megjithatë, tregu i makinave elektrike po zgjerohet me ritme të shpejta. Numri i tyre u rrit me 91.2% brenda një viti.
