Lajme

Von der Leyen: BE-ja duhet të rrisë koordinimin energjetik dhe të ulë varësinë nga importet

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për një qasje më të koordinuar të BE-së në politikën energjetike, duke theksuar se “çdo shtet anëtar ka një përzierje të ndryshme energjie”, ndaj nuk mund të ketë një zgjidhje të vetme për të gjithë.

Ajo kërkoi bashkëpunim më të madh në prokurimin e përbashkët dhe në menaxhimin e rezervave të karburantit, “veçanërisht karburantin për avionë dhe naftën, ku tregjet po ngushtohen”.

Po ashtu, theksoi se BE-ja duhet të mbrojë konsumatorët dhe bizneset, por duke u fokusuar tek “familjet dhe industritë më të cenueshme”, dhe të shmangë ndërhyrjet e mëparshme “të paqëllimshme”.

Von der Leyen shtoi se BE-ja duhet të ulë kërkesën për energji përmes modernizimit të rrjetit elektrik dhe reformave strukturore.

Duke folur për Lindjen e Mesme, ajo tha se BE-ja “dëshiron që armëpushimet në Iran dhe Liban të respektohen”, por paralajmëroi se “pasojat e këtij konflikti mund të jehojnë për muaj ose edhe vite që do të vijnë”, citon Guardian.

Ajo përfundoi duke theksuar se Evropa duhet të reduktojë varësinë nga lëndët djegëse fosile të importuara dhe të rrisë prodhimin vendas të energjisë së pastër, nga burimet e rinovueshme te energjia bërthamore, “në respekt të plotë të neutralitetit të teknologjisë”.

Të Ngjashme