Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke deklaruar se vendi është ndër shtetet kryesuese në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Von der Leyen tha se shqiptarët e kanë Evropën në zemër dhe vlerësoi punën e bërë për ta kthyer në realitet aspiratën evropiane të vendit.
“Përvoja është e tillë që shqiptarët e mbajnë Evropën në zemër dhe është vërtet kënaqësi, është e mrekullueshme të kthehem në Tiranë”, u shpreh ajo.
“Ti dhe Shqipëria keni punuar fort për ta kthyer ëndrrën evropiane të Shqipërisë në realitet, për ta bërë atë realitet. Prandaj mesazhi im i parë është i thjeshtë, objektivi është në horizont. Shqipëria është ndër vendet kryesuese në procesin tonë të anëtarësimit”, deklaroi von der Leyen, duke iu drejtuar kryeministrit Edi Rama.
Presidentja e KE-së theksoi se vlerësimi i saj bazohet edhe në ndjekjen e vazhdueshme të ecurisë së Shqipërisë, duke kujtuar se kishte qenë edhe vitin e kaluar në Tiranë.
“Mund ta jap këtë gjykim pasi vij çdo vit për të parë ecurinë dhe, meqenëse kam qenë edhe vjet këtu në Tiranë, që atëherë Shqipëria sërish ka bërë një ecuri të mrekullueshme, fantastike”, tha ajo, shkruan ATSH.
Von der Leyen vuri në dukje se Shqipëria ka hapur edhe grupkapitujt e fundit të negociatave, ndërsa në korrik ka mbyllur tre kapitujt e parë, përfshirë kapitullin për marrëdhëniet me jashtë.
“Ky është një përparim shumë i rëndësishëm, pasi kjo do të thotë se Shqipëria është plotësisht e përafruar me politikën tonë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, pra 100%. Kjo do të thotë që ne e shohim botën me të njëjtin sy dhe kjo është shumë e rëndësishme në procesin e anëtarësimit”, u shpreh ajo.
Presidentja e Komisionit Evropian theksoi gjithashtu se Bashkimi Evropian dhe Shqipëria qëndrojnë krah për krah kur vlerat dhe interesat e tyre vihen në pikëpyetje.
“Prandaj dëshiroj t’u përcjell jo vetëm qytetarëve shqiptarë, por edhe qytetarëve të BE-së, faktin që anëtarësimi i Shqipërisë nuk do ta bëjë vetëm Shqipërinë më të fortë, por do ta bëjë edhe BE-në më të fortë”, theksoi von der Leyen.
