Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vranësira dhe reshje të izoluara shiu, si do të jenë temperaturat sot

Mëngjesi i së hënës do të vijojë me vranësira të dendura dhe reshje të izoluara në pjesën më të madhe të territorit por duke filluar që nga mesdita dhe në vijim pritet përmirësim i kushteve atmosferike duke sjellë alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta, ku më të theksuara vranësirat paraqiten në skajin Verior dhe Verilindor duke rrezikuar reshje të izoluara shiu e dëbore. Parashikohet që mbrëmja dhe nata të përmirësojë dukshëm kushtet atmosferike në të gjithë territorin e vendit.

Temperaturat e ajrit do të rriten lehtë në orët e mëngjesit por mbeten konstante në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 4°C deri në 19°C. Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi mbi 40 km/h nga drejtimi verior dhe verilindor duke sjellë në brigjet detare dallgëzim mbi 3 ballë.

Kosova

Përgjatë gjithë ditës së hënë Republika e Kosovës do të karakterizohet nga kthjellime dhe vranësira të herë pas hershme ku më të dukshme vranësirat do të paraqiten në zonat përgjatë kufirit me Shqipërinë duke rrezikuar momente me reshje të pakta e të izoluara. Parashikohet që orët e pasdites dhe në vijim të sjellin përmirësim gradual të kushteve atmosferike duke bërë që i gjithë territori i Kosovës të dominohet nga kthjellime dhe vranësira por pa reshje. Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rritje të lehtë në orët e mëngjesit por vijojnë konstante në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 1°C deri në 13°C vlera më e lartë në rang territori. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare; me shpejtësi maksimale deri në 40 km/h nga drejtimi kryesisht Verior – Veriperëndimor.

Maqedonia e Veriut

Moti relativisht i i qëndrueshëm do të ndikojë në Republikën e MV duke sjellë kthjellime dhe vranësira të shpeshta në pjesën më të madhe të republikës së MV ku më dominante vranësirat paraqiten në zonat kufitare me Shqipërinë duke rrezikuar reshje të pakta dhe te izoluara shiu e dëbore ne zona të thella malore. Pjesa e dytë e ditës do të sjellë përmirësim të theksuara të motit duke bërë që kthjellimet dhe vranësirat e lehta e kalimtare të jenë dominante në të gjithë territorin e MV. Për sa i përket Temperaturave e ajrit do të rriten në vlerat minimale por mbeten konstante maksimumet duke u luhatur nga 1°C deri në 15°C vlera më e lartë në rang territori. Ndërkohë parametri i erës do të vijojë mesatare me shpejtësi maksimale mbi 35 km/h nga drejtimi kryesisht verior.

Europa

Europa Qendrore si edhe pjesërisht Europa Juglindore do të dominohen nga kushte të qëndrueshme atmosferike duke bërë që moti i kthjellët dhe relativisht i ngrohtë të jetë dominant. Për sa i përket Europës Lindore do të jetë nën ndikimin e motit të kthjellët por të ftohtë ndërsa me vranësira, reshje të dendura shiu si edhe stuhi të forta ere do të paraqiten ishujt britanike, gadishulli Iberik si edhe rajoni i Balltikut, situatë kjo si pasojë e zhvillimit të një qendre të fuqishme ciklonare mbi këto rajone të Europës. Po ashtu vranësira dhe reshje të dendura dëbore; shoqëruar me ngrica të theksuara do të kenë vendet Nordike./abcnews.al