Aktuale

Vrasja e krahut të djathtë të Vis Martinajt, Apeli rikthen në burg Erlis Dukën, 30 vite për Leonard Dukën

Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin për Erlis Dukën, vëllain e Leonard Dukës, duke e dënuar me 28 vite burg për vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Vendimi vjen pas kundërshtimit të SPAK ndaj pafajësisë së dhënë më herët nga Gjykata e Posaçme (GJKKO).

Ndërkohë, për Leonard Dukën është lënë në fuqi dënimi me 30 vite burg. Për të pandehurit e tjerë të përfshirë në këtë çështje, Apeli ka konfirmuar dënimet e dhëna më parë.

Santiago Malko, ish-punonjës policie dhe person i afërt me Ervis Martinajn, u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit 2019 në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Ai po lëvizte me një automjet tip BMW X5, kur ndaj tij u qëllua me breshëri armësh zjarri.

Malko ishte larguar nga detyra si punonjës policie pasi ishte arrestuar në lidhje me një konflikt për lojërat e fatit. Emri i tij ishte përmendur edhe më herët në hetime për ngjarje të rënda kriminale. Në tetor të vitit 2018, ai u përfshi në një ngjarje ku mbeti i plagosur miku i tij, Ervis Martinaj, por u lirua për mungesë provash.

Me vendimin e fundit, Apeli ka rrëzuar pafajësinë e Erlis Dukës dhe ka rikthyer përgjegjësinë penale të tij për një nga ngjarjet më të bujshme kriminale të vitit 2019 në Tiranë.

Të Ngjashme