Aktuale

Vrasja e vëllezërve Alikaj, familjari: Çaka dhe Spahiu u liruan, u prishën provat! Ja kush e di të vërtetën

Vrasja e Gëzim Alikajt ishte sinjali se kundërshtarët nuk do të kursenin as njerëzit e pafajshëm për hakmarrje.

Pas vrasjes së tij, Policia e Elbasanit u fokusua në një pistë që lidhej me një ngjarje që datonte 2 vite më herët, pikërisht në Spanjë ku u vra Alfons Çaka. Siç zbuluam më sipër, për atë atentat organet hetimore spanjolle kishin arrestuar vëllanë e viktimës së Elbasanit, shtetasin Florenc alias Fatmir Alikaj.

Vetëm pak orë pas ngjarjes, uniformat blu të Elbasanit vunë në pranga shtetasit Everest alias Ibrahim Çaka, që do të vritej në vitin 2021, Elton Hyka dhe Ardit alias Arjan Spahiu, i njohur me nofkën “Arjani i Vogël”, sërish i vrarë në Belgjikë në vitin 2020.

Vladimir Merxhani zbulon detaje të panjohura për atentatin ku humbi jetën kunati i tij, Gëzim Alikaj, një person që nuk kishte asnjë lidhje me konfliktet dhe veprimtarinë e të vëllait jashtë vendit.

“Arrestojnë policia, ndalon, Ibrahim Cakën, Arjan Spahiun dhe një person tjetër që i kishte ndihmuar me makinë, të dhënat ishin nga aty.”

“Flasim për vepra që kryhen përherë me dashje, e thjeshtë ose variant ekstrem me paramendim, përherë rëndësi ka motivi, arsyeja për këto vepra, dhe për zbulimin e motivit duhet bërë hetim i plotë dhe për çështjet e lidhura,” u shpreh Ermal Yzeiri, avokat.

Policia u shpreh aq e sigurt në momentet e para mbi provat e siguruara sa njoftoi rezultatet e aksionit policor për arrestimin e vrasësve të Gëzim Alikajt. Ata ishin pikërisht emrat e përmendur nga familjarët e viktimës.

“Këto e kishin vrarë Gëzim Alikajn për rikthimin, se Florenci doli nga bugu, që të kthehet Florenci e ta vrisnin. Akuza e policisë ishte për Ibrahim Cakën e Arjan Spahiun, i mbajtën 18 ditë të izoluar e i liruan. Njëkohësisht këto janë shoqëri e afërt me të penduarin e drejtësisë Erjon Alibej,” u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.

Tre personat e arrestuar u mbajtën për rreth 1 muaj në qeli. Më pas ata u lanë të lirë për mungesë provash. Por tjetër qëndrim kanë të afërmit e familjes Alikaj. Ata pretendojnë se në vendngjarje u gjetën prova materiale që fajësonin 3 personat e sapo liruar. Po ashtu, ata këmbëngulin se përpos konfliktit me personat e ndaluar, familja Alikaj nuk kishte asnjë përplasje tjetër.

“Izoloj policia, i izoloi policia, për 17 ditë dolën nga burgu, provat ishin me vrasjen e Noces në Barcelonë se thonin janë hasmëri,” u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.

“Fakti që këto persona, nuk vërtetohen përtej çdo dyshimi, nuk çohen para drejtësisë, krijon probleme më të mëdha; e para krijon bindje te opinioni që e vërteta nuk u zbulua, dhe e ikën dyshimi te familjarët ende të ngritur, sepse tashmë ka elementë tjerë dhe thonë që vetë organet e ndjekjes penale patën dyshim që këto mund të ishin autorët. Kështu që në raste të tjera e mira do të jetë të vijojë hetimi, mos nxitohemi, por në momentin kur shkon para drejtësisë të jetë e vërtetuar,” u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror.

Gëzim Alikaj, një person që nuk kishte asnjë faj për veprimtaritë e paligjshme të vëllait, u eliminua. Akoma më keq, ngjarja nuk u arrit të zbardhej kurrë, duke u shndërruar në parathënien e krimeve që do të vijonin. Kodi përsëritej: nëse shteti nuk bën drejtësi, familjet e përfshira në konflikte shkojnë tek vetëgjyqësia…

“Nuk kam nevojë për hakmarrje, kam 3 çuna dhe një grua që më ngrenë kapelen një Elbasan. Kush janë, Erjon Alibej të tregoj se kush i ka hyrë në hak Gëzim Alikajt, vetëm këtë i kërkoj drejtësisë; Erjon Alibej duhet të pyetet për këto ngjarje,” u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.

“Vetë Kodi i Procedurës Penale, neni 37 pika 5 e tij përcakton në mënyrë detyruese që bashkëpunëtori duhet të tregojë gjithë elementët për një ngjarje penale, që nga ngjarja, të dhënat për parandalim ngjarjesh tjera, si dhe pasuri e veprimtarisë kriminale,” u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror.

“Bashkëpunëtori i drejtësisë duhet të tregojë gjithë rrethanat, dijenin për ngjarjen, të plotë, pa fshehur asgjë karshi prokurorisë,” u shpreh Ermal Yzeiri, avokat.

Pavarësisht lirimit të 3 personave të dyshuar, familja Alikaj drejton gishtin pikërisht nga ata autorë që sot, në fakt, janë të ndjerë pasi janë eliminuar në histori të tjera kriminale. Por bashkëpunëtorët mbeten ende pa përgjegjësi penale. Familja Alikaj ngre dyshime se janë futur duart për prishjen e provave hetimore.

“Meqë ato nuk japin dosje, policia e Elbasanit për këtë ngjarje i ka prishur, edhe këtë e them me bindje të plotë,” u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.

“Mund të quhet shkelje faktikisht, duhet të mbajë sekret prokuroria, por niveli i bashkëpunimit, sa bashkëpunon me këta dëshmitarë për vërtetuar pretendimet, është për t’u parë, duhet pasur bashkëpunim, nëse s’ka ka diçka që nuk shkon,” u shpreh Ermal Yzeiri, avokat.

“Ka gjithmonë një element nxitimi të strukturave policisë, dëshira e madhe për të shkuar te autorët e ngjarjes dhe dëshira për të ulur elementin e opinionit duke dashur të tregojnë që e zbardhëm ngjarjen, shpesh kanë çuar në konkluzione jo të vërteta dhe të nxituara, ose frenojnë hasmërinë, një nga elementët e tjerë,” u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror./Topchannel

Të Ngjashme