Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka njoftuar se ka nënshkruar themelimin e grupit punues për analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, si agjencion në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ai ka thënë se, Xhandarmëria synon të forcojë arkitekturën e sigurisë në vend, me fokus në ruajtjen e kufijve, mbrojtjen e sovranitetit territorial, luftimin e terrorizmit, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, e vlerësoi nismën për themelimin e Xhandarmërisë si të rëndësishme për sigurinë kombëtare dhe përballjen me kërcënimet hibride nga Serbia.
Sipas tij, sulmi në Banjskë dëshmoi nevojën për një forcë të specializuar me standarde euro-atlantike, ndërsa theksoi se funksionimi i saj duhet të rregullohet me ligj, mandat të qartë dhe mbikëqyrje demokratike.
“Një nismë e rëndësishme për sigurinë kombëtare, e cila duhet të shihet si përgjigje ndaj kërcënimeve hibride. Ndërhyrjet destabilizuese nga Serbia përmes propagandës, spiunazhit, strukturave kriminale, grupeve të armatosura e provokimeve kufitare, kërkojnë rritje të kapaciteteve rezistente sipas modelit të xhandarmërisë. Edhe vendet europiane si Franca, Italia e Turqia kanë struktura të tilla mes policisë e ushtrisë, për detyra të sigurisë së brendshme. Sulmi në Banjskë e mbështet nevojën për një forcë të specializuar me standarde euro-atlantike për operacione të luftës hibride. Ky do të ishte një zhvillim tejet i rëndësishëm për arkitekturën e sigurisë, por që duhet të kalojë përmes ligjit, mandatit të qartë në raport me Policinë e FSK-në dhe mbikëqyrjes demokratike”, u shpreh Fetoshi.

Arben Fetoshi
Tutje, Fetoshi tha se themelimi i xhandarmërisë do të rriste kapacitetet parandaluese dhe reaguese ndaj kërcënimeve komplekse të sigurisë, pa u mbivendosur me Policinë apo mandatin e FSK-së.
Sipas tij, kjo forcë do të kishte rol të rëndësishëm në kontrollin kufitar, reagimin ndaj grupeve të armatosura dhe menaxhimin e krizave në veri.
Fetoshi shtoi se një xhandarmëri profesionale do të ishte sinjal i fuqishëm ndaj aktorëve armiqësorë, duke forcuar qëndrueshmërinë shtetërore të Kosovës, pavarësisht propagandës serbe që mund ta paraqesë si “militarizim”.
“Themelimi i xhandarmërisë do të sillte, para së gjithash, rritje të kapaciteteve parandaluese dhe reaguese për kërcënimet më komplekse të sigurisë. Kjo s’do të thotë mbivendosje në raport me Policinë dhe as ndërhyrje në mandatin e ushtrisë. Xhandarmëria do të mund të kishte rol më specifik në kontrollin e zonave kufitare, reagimin më të shpejtë ndaj grupeve të armatosura, parandalimin e infiltrimeve dhe mbështetjen në raste krizash e tensionesh politike në veri. Një xhandarmëri profesionale do të ishte po ashtu mesazh për aktorët armiqësorë se Kosova ka kapacitete të reagimit të shpejtë ndaj kërcënimeve asimetrike. Pavarësisht se do të kornizohet nga propaganda serbe si ‘militarizim’ dhe ‘kërcënim’, themelimi i xhandarmërisë do ta forconte më tej qëndrueshmërinë shtetërore të Kosovës” – përfundon ai.
