Nga Beogradi, në një konferencë për shtyp gjatë vizitës zyrtare në Serbi, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është pyetur për qëndrimin e Ukrainës lidhur me njohjen e shtetit të Kosovës.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetareje, Zelensky tha se qëndrimi i Ukrainës për Kosovën mbetet i pandryshuar, duke theksuar se vendi i tij respekton integritetin territorial të partnerëve dhe të drejtën ndërkombëtare.
“Ne e respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë, e respektojmë të drejtën ndërkombëtare. Prandaj, pozicioni ynë për atë që ju përmendët, shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, mbetet i pandryshuar. Ne gjithmonë e kemi theksuar këtë dhe politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas tha gjithashtu se Ukraina është mirënjohëse ndaj partnerëve që respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e saj.
“Jemi gjithashtu mirënjohës ndaj partnerëve tanë për respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, përfshirë, natyrisht, faktin se Krimea i përket Ukrainës. Edhe ky pozicion i Serbisë mbetet i pandryshuar”, tha Zelensky./RTK
