Lajme

Zemaj: Qindra pacientë me kancer po detyrohen vetë t’i blejnë barnat

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka hedhur kritika të shumta për mënyrën e menaxhimit të sektorit të shëndetësisë.

Ai ka thënë se qindra pacientë me kancer po detyrohen t’i blejnë vetë barnat për terapi, në mungesë të tyre, edhe pse sipas tij, për furnizim me barna janë dhënë miliona euro përmes tenderëve.

“E kemi thënë vazhdimisht se ka para më shumë, por ka monopol të madh, nga i cili ka fitime të mëdha për kompani të veçanta farmaceutike të lidhura me pushtetin, direkt me udhëheqës në MSh, e ish vartës të këtij sektori jetik, ndërsa për pacientët ka shumë më pak barna dhe, sigurisht, kjo është barrë e rëndë për familjet e tyre e gjepin e varfër të qytetarëve të Kosovës.”, ka shkruar Zemaj.

Ai ka thënë se kjo është edhe një arsye pse kjo shumicë nuk e ka interesin ta konstituojë Kuvendin, sepse sipas tij, nuk e do mbikëqyrjen se si po menaxhohet dhe nuk e do llogaridhënien. 

Të Ngjashme