Lajme

Zemaj zbulon prapaskenat e listës së LDK-së: Si u lanë anash Hoti dhe Bajrami për hir të bashkimit me Osmanin?

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka dhënë detaje mbi përpilimin e listës zgjedhore të përbashkët me iniciativën e Vjosa Osmani. Një ditë pas publikimit të listave për zgjedhjet e 7 qershorit, ai thekson se ajo është rezultat i një marrëveshjeje politike që synon bashkimin e të djathtës dhe fitoren në zgjedhjet e ardhshme.

Lista e LDK-së kryesohet nga ish-presidentja Vjosa Osmani, e cila pasohet nga kryetari, Lumir Abdixhiku. Ndërkaq, në dhjetëshen e parë mungojnë ish-kryeministri Avdullah Hoti si dhe ish-shefja e Grupit Parlamentar, Hykmete Bajrami.

Zemaj në intervistën zgjedhore të KosovaPress thotë se Hoti dhe Bajrami do të duhej të ishin më lart të renditur në listë, por vendimet janë marrë si pjesë e një kompromisi më të gjerë politik.

Sipas tij, partia duhet të tregojë kujdes ndaj figurave që kanë mbajtur barrën politike të LDK-së ndër vite dhe që kanë dëshmuar vazhdimisht mbështetje elektorale

“Është një listë kompakte. Gjithmonë ka hapësirë dhe ka vend edhe për të tjerë. Po edhe në kuptimin e dëshirës, vullnetit, përcaktimit politik. Por është mirëpritur edhe rikthimi i njerëzve, por edhe bashkimi që ka ndodhur si marrëveshje, ta quaj kështu politike, mes LDK-së dhe Vjosa Osmanit… Renditja bëhet prej kryetarit, sepse edhe autorizimet janë dhënë nga Këshilli i Përgjithshëm në bazë të atyre kritereve që janë votuar në Këshillin e Përgjithshëm dhe sigurisht tani brenda saj edhe në bazë të listës, marrëveshjes edhe me grupe të tjera politike… Në aspektin personal, unë e them po. Po, janë disa rrethana të tjera që nganjëherë edhe neve që jemi me disa mandate, me pozita që po thua ti të zëshëm në opozitë, në kuptimin e kërkesave dhe nevojave që kanë qytetarët, por edhe keqqeverisjes që ka ndodhur. Por mendoj që në listat e hapura, numri pak është i rëndësishëm. Është fokusi te puna dhe te fitorja e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por duhet të ketë kujdes, domethënë, të jemi të sinqertë, duhet të ketë kujdes me figura që kanë kontribuar gjatë në Lidhjen Demokratike dhe që kanë peshë të votës”, thotë ai.

Ai thekson se lista është përpiluar nga kryetari Lumir Abdixhiku në koordinim të ngushtë me bartësen e saj, Vjosa Osmani.

“Unë nuk i di detajet, sepse, dorën në zemër, të jemi të sinqertë, pothuajse asnjëherë nuk më ka interesuar shumë pjesa rendore, në kuptimin eksplicit, sepse të intereson ku është tek unë, tjetri, ai, edhe është normale. Por fokusi është më shumë në punën në terren. Unë e thashë, ndarja e vendeve ka qenë e votuar në Këshillin e Përgjithshëm. Kriteret janë votuar në Këshillin e Përgjithshëm dhe në bazë të këtyre kritereve, besoj dhe dua të besoj që kryetari i LDK-së e ka bërë këtë përcaktim. Ndërsa për listën e vet, sigurisht prioritetet i ka pasur zonja Osmani”, shton Zemaj.

Duke folur për refuzimin e Agim Veliut për t’iu bashkuar listës së LDK-së, të kryesuar nga Vjosa Osmani, ai thotë se i njëjti duhet mirëkuptuar, pasi nuk është e lehtë për secilin që nuk ka devijuar asnjëherë nga LDK-ja për ta tejkaluar lehtë ndarjen e madhe që ndodhi në vitin 2021 me ish-presidenten.

“E pashë që ka pasur propozim te pesë emra, të cilët janë emra të respektuar, një ndër ta edhe Agim Veliu. Atëherë pashë edhe komunikimin publik që e ka bërë që ka qenë e papranueshme për të. Domethënë, këtu tash përfundon kjo histori, ecim, ecim tutje… Unë e di që ka pasur vullnet dhe dëshirë edhe në të kaluarën që të jetë pjesë e listës. Ka qenë gabim mospërfshirja e tij në zgjedhjet e shkurtit. Edhe tash detajet mund t’i shpjegojnë ai dhe kryetari i LDK-së, në kuptimin edhe raportin me degën… Nuk është e lehtë nga ajo çka ka ndodhur në vitin 2021. Ai i cili ka qenë qëndrestar, ai i cili nuk ka devijuar asnjëherë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duhet me e kuptuar, domethënë edhe duhet me e mirëkuptuar. Po duhet me e krijuar atë momentumin pozitiv, me vlera pozitive, pse po ndodh ky bashkim”, deklaron ai.

Pavarësisht divergjencave të brendshme, Zemaj insistoi se LDK-ja po hyn e mobilizuar në garën zgjedhore dhe se bashkimi me Osmanin vetëm sa do ta rrisë mbështetjen elektorale.

Ai tregon arsyet pse munguan në tubimin e bashkimit me Vjosa Osmanin, ish kryeminsitri Avdullah Hoti dhe ish-shefja e Grupit Parlamentar, Hykmente Bajrami.

“LDK-ja është duke ecur mirë. Ka një aktivitet të shtuar në terren. Ka pritshmëri të mira. Ka rikthim të njerëzve… Të tretë, edhe ky (Hoti), edhe Hykmetja, edhe profesori kanë obligime, sepse janë edhe mësimdhënës. Mund të ketë edhe arsye të tjera. Por edhe nëse nuk e shohin pjesëmarrjen të arsyeshme në një aktivitet të tillë, do t’i shohim në aktivitete të tjera, sepse pothuajse të nesërmen nuk ik pa një aktivitet nëpër degë edhe nëpër lokalitete të caktuara… Unë nuk e mendoj që ka ndonjë ftesë të caktuar. Ato janë vizita tash paraprake që i bën kryetari me Vjosa Osmanin. Ata që shkojnë ose i thërret dikush personalisht, ose shkojnë vetvetiu, por nuk kemi pasur ndonjë ftesë as në grupin e kryesisë, ose në grupin e deputetëve, sepse aty s’jam as unë, s’janë as shumë, shumë akterë të tjerë politikë, por jemi në një vend tjetër, jemi në një aktivitet tjetër që më duket është edhe më i rëndësishëm se sa ai që mund të jetë”, shton Zemaj.

Përkitazi me këtë, ai thotë se LDK-ja po hyn në zgjedhjet e 7 qershorit për t’i fituar ato.

“Ne kemi punuar shumë, këta tre muaj edhe pa Vjosa Osmanin. Kemi qenë konsistentë në qëndrimet tona, nuk kemi lejuar kapjen e tërësishme të institucioneve të Republikës së Kosovës nga Albin Kurti dhe klika e tij. Mendoj që kemi bërë mirë që këto nuk i kemi lejuar aq sa kemi pasur mundësi edhe pse ishim vetëm 15 deputetë. Kemi qenë të unifikuar, kemi qenë mirë të përcaktuar dhe kjo konsistencë mendoj dhe kemi menduar që do të na shpërblehet me përkrahjen nga qytetarët e vendit për interes të vendit. Tash ka qenë edhe Vjosa Osmani. Me bashkangjitjen e Vjosa Osmanit unë mendoj që kjo vetëm do të shtohet. Se atë çka e gjen dhe ne që e kemi punuar, ajo është aty. Dhe mendoj që vetëm do të shtohet… Do të dalim shumë më të fuqishëm. Ne hyjmë për t’i fituar. Hyjmë për t’i fituar zgjedhjet. Edhe hyjmë me seriozitetin edhe me kapacitetin maksimal të mundshëm”, deklaron ai.

Të Ngjashme