Aktuale

“Zgjerohet skandali”, paralajmërimi: Dosja e Ballukut del jashtë Shqipërisë, hetime të reja nga SPAK priten

Në një emision televiziv, gazetari Andi Tela ka komentuar zhvillimet e fundit të lidhura me çështjen e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.

Tela u shpreh se çështja, ka marrë vëmendje edhe ndërkombëtare, duke përmendur një pyetje të një gazetari estonez për situatën në Shqipëri. Ai theksoi se debati mbi mënyrën e kualifikimit të çështjes si “prokurim publik” apo “korrupsion” është një diskutim i hershëm në opinionin publik dhe politik.

Sipas tij, në rastet e prokurimeve publike, përgjegjësitë nuk lidhen drejtpërdrejt me ministrin, por mund të ngrihen çështje për shpërdorim detyre ose korrupsion, varësisht nga hetimet.

Në vijim të deklaratave, Tela u shpreh se çështja lidhet edhe me angazhimet dhe kushtet e integrimit në Bashkimin Evropian, duke përmendur pritshmëritë e partnerëve ndërkombëtarë për zhvillimet në raste të tilla.

Ai shtoi gjithashtu se, sipas tij, pjesa tjetër e procesit i takon Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila mund të ndërmarrë hapa të mëtejshëm proceduralë, përfshirë kërkesa në Kuvend dhe masa të mundshme sigurie, në varësi të ecurisë së hetimeve.

Tela:

Kjo ishte përgjigja për gazetën estoneze. Domethënë çështja e Ballukut ka shkuar deri në Estoni. Një gazetar estonez pyet për Belinda Ballukun në Shqipëri. Po. Domethënë është një çështje e rëndësishme. Pastaj lojërat e fjalëve të tipit, nuk është korrupsion, por është prokurim publik, janë çështje që ne i kemi diskutuar me kohë. Nuk ka prokurim publik nga një ministri, nuk bën ministrja prokurime publike. O bën shpërdorim detyre, o bën korrupsion.

Përtej të gjitha këtyre, është një justifikim në raport me atë që i kërkon, që kërkohet nga BE dhe që është kërkuar në mënyrë insistuese edhe nga McAllister kur erdhi në Shqipëri dhe tha, ne do ta mbajmë shënim atë që do të ndodhë, që pritet të ndodhë për këtë rast. Kështu që, përgjigja ka ndodhur përpara se sa ta japë zoti Rama te gazeta estoneze.

Pra, çështja e Belinda Ballukut është një nga këto kushtet e famshme edhe të IBAR-it. Pritet pastaj për të kuptuar se si, ç’do ndodhë më tej.

Pjesa tjetër pastaj i ngelet SPAK-ut. Pra SPAK-u duhet të bëjë një kërkesë të dytë në parlament dhe ka zëra, ka burime nga brenda SPAK-ut që brenda pak ditësh do të ketë një reagim të tij për çështjen e dosjes Balluku, pra mund të ketë disa masa sigurie dhe ndoshta kërkesë edhe për zonjën Balluku në parlament.

Të Ngjashme