Lajme

​Zjarret në Shqipëri, 10 vatra aktive, ndërhyrjet nga ajri, shiu ndihmoi jugun

Struktura të Mbrojtjes Civile, efektivë të Forcave të Armatosura dhe mjete të ndërhyrjes nga ajri vijojnë përpjekjet në terren për menaxhimin e vatrat e zjarrit të përhapura në disa qarqe të vendit. Sipas bilancit zyrtar të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes mbrëmjen e të premtes, në të gjithë territorin po ndiqen 13 vatra zjarri, prej të cilave 10 mbeten aktive, 2 janë vënë nën kontroll dhe 1 është shuar plotësisht.

Pavarësisht relievit të thyer malor dhe kushteve atmosferike sfiduese, autoritetet konfirmojnë se përpjekjet e koordinuara nga toka dhe ajri kanë shmangur rrezikun e drejtpërdrejtë për zonat e banuara, raporton RTSH.

Lura dhe Bulqiza në fokusin e operacioneve masive

Pika më kritike e angazhimit operacional mbetet Parku Kombëtar i Lurës në qarkun e Dibrës, ku është mobiluar një forcë e konsiderueshme njerëzore dhe logjistike.

Mobilizimi në Lurë- 200 forca të pushtetit vendor, 50 efektivë të FA-së, 15 punonjës të Policisë së Shtetit, 18 vullnetarë, 2 automjete zjarrfikëse dhe 2 avionë specialë Air Tractor.

Ndërhyrja e koordinuar ka bërë të mundur bllokimin e depërtimit të flakëve pranë shtëpive.

Bulqizë (Qafë Helmes – Selishtë)- Vatra mbetet aktive, por grupet operacionale kanë arritur të izolojnë disa segmente kyçe.

Operacionet në Tiranë dhe Krujë

Në qarkun e Tiranës dhe të Durrësit, përpjekjet janë përqendruar në mbrojtjen e masiveve pyjore dhe zonave periferike:

Mali i Dajtit- Stafi prej 9 efektivësh të ADZM-së po mbështetet nga ajri me 2 helikopterë të Forcave të Armatasura.

Priskë – Farkë, 30 forca të MZSH-së me 6 mjete zjarrfikëse e kanë sjellë situatën nën kontroll të plotë, duke eliminuar rrezikun për banesat.

Krujë (Abaze & Zidoll)- Ndërhyrja ajrore e helikopterëve të FA-së ka normalizuar gjendjen në Zidoll, ku po punohet për fikjen e zonave të mbetura të zjarrit.

Reshjet e shiut ndihmojnë jugun; fiket vatra në Peqin

Në rajonet jugore dhe juglindore, faktorët atmosferikë po lehtësojnë punën e ekipeve në terren. Në Përmet dhe Qukës, reshjet e fundit të shiut kanë ndihmuar stabilizimin e menjëhershëm të vatrat aktive, ndërsa vatra e identifikuar në Paulesh të Peqinit është shuar plotësisht. Puna e monitorimit po vijon gjithashtu pa probleme madhore në Gjirokastër, Lezhë, Elbasan dhe Shkodër.

Përmes një komunikimi zyrtar për mediat, Ministria e Mbrojtjes theksoi përkushtimin e të gjitha agjencive ligjzbatuese në terren:

“Pavarësisht terrenit të vështirë dhe kushteve të pafavorshme në disa zona, vijon angazhimi i koordinuar i strukturave të Mbrojtjes Civile nga toka dhe ajri. Në të gjitha zonat e raportuara nuk evidentohen rreziqe për zonat e banuara.”

Nga ana e saj, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) konfirmoi se përparësia absolute mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve:

“AKMC, në koordinim me strukturat qendrore dhe vendore të sistemit të Mbrojtjes Civile, vijon ndjekjen e situatës dhe koordinimin e kapaciteteve operacionale, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe kufizimin sa më të shpejtë të vatrave aktive”, njofton AKMC.

Të Ngjashme