Lajme

Zotimet e Kurtit: Garancia shtetërore për investimet e mërgatës

Kosova nuk ka pasur mungesë energjie njerëzore, ideje apo vullneti për punë. Ajo që shpesh ka munguar është mekanizmi institucional që ta kthejë potencialin ekonomik të mërgatës në investim të sigurt dhe afatgjatë brenda vendit. Për dekada, mërgata jonë ka qenë shtylla kryesore e mbijetesës ekonomike të Kosovës përmes remitancave. Tani është koha që shteti të ndërtojë instrumente serioze për ta kthyer këtë potencial në zhvillim prodhues, vende pune dhe industrializim modern.

Pikërisht për këtë arsye Kryeministri Albin Kurti ka paraparë krijimin e “Dritares për Investime të Diasporës”, përmes së cilës do të mbështeten deri në 100 milionë euro investime të ndërmarrësve nga diaspora që realizohen në Kosovë. Shteti i Kosovës do të jetë garant për investimet e mërgatës. Për të gjitha kreditë që merren për investimet e tyre këtu, shteti i Kosovës do të shërbejë si hipotekë për ta.

Ky padyshim që është program financiar, por në thelb ka si synim të ndërrojë raportin mes shtetit dhe investitorëve nga mërgata.

Për herë të parë, prej vitit 2021 në Qeverinë Kurti, shteti i Kosovës nuk e pa mërgatën vetëm si burim remitancash dhe konsumator sezonal, por si partner strategjik zhvillimi. Për investimet që mërgata realizon në Kosovë, shteti do të ofrojë garanci për kreditë investuese, duke funksionuar si mbështetje garantuese për financimin e projekteve të tyre.

Në praktikë, kjo nënkupton se ndërmarrësit nga mërgata do ta kenë shumë më të lehtë qasjen në financim bankar për investime në prodhim, teknologji, përpunim, turizëm, bujqësi, energji dhe sektorë të tjerë strategjikë. Një nga pengesat kryesore që investitorët nga mërgata kanë hasur deri më sot ka qenë mungesa e kolateralit dhe rreziku i lartë që bankat ia atribuojnë investimeve të reja. Pikërisht këtu ndërhyn shteti duke reduktuar riskun financiar dhe duke krijuar besim institucional për investitorët.

Mërgata shqiptare përfaqëson një potencial ekonomik që matet me miliarda euro kapital financiar, profesional dhe teknologjik. Vetëm remitancat vjetore në Kosovë tashmë kalojnë mbi 1 miliard euro. Por remitanca konsumohen. Investimet, në anën tjetër, krijojnë kapacitete të reja prodhuese, vende pune dhe zhvillim afatgjatë.

Kjo është arsyeja pse “Dritarja për Investime të Diasporës”.është urë strategjike mes Kosovës dhe mërgatës. Është mekanizëm për ta kthyer lidhjen emocionale me atdheun në fuqi konkrete zhvillimore.

Në të njëjtën kohë, kjo politikë krijon një mesazh të ri politik se shteti i Kosovës është i gatshëm të ndajë përgjegjësinë dhe riskun me qytetarët e vet që duan të investojnë në vend. Për shumë vite, ndërmarrësit janë përballur me burokraci, pasiguri dhe mungesë mbështetjeje institucionale. Modeli që propozon Lëvizja VETËVENDOSJE! është krejt tjetër pra, shteti si partner zhvillimi, jo si pengesë administrative.

Mbështetja me votë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me numër 116, është mbështetje për një shtet që e kupton se zhvillimi nuk vjen nga rastësia, por nga partneriteti mes institucioneve, qytetarëve dhe mërgatës shqiptare anembanë botës.

Të Ngjashme