Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

ZPS thotë se dëshmitari i 41-të në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve është i afërm i një viktime

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 41-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin W04489 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në përmbledhjen e lexuar nga prokurori Matt Halling, u tha se dëshmitari është i afërm i një viktime që pretendohet se është vrarë dhe zhdukur nga Drenoci, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Dëshmitari 04489 është i afërm i një viktime që pretendohet se është vrarë dhe është zhdukur nga Drenoci. Dëshmitari do të përshkruajë veprimtaritë e viktimës së pretenduar përpara se të zhdukej në Drenoc, herën e fundit që dëshmitari e ka parë dhe përpjekjet e pafundme që ka bërë familja për të zbuluar se çfarë i kishte ndodhur këtij personi”, tha prokurori gjatë leximit të përmbledhjes.

Pas kësaj, prokurori kërkoi që për shkak të natyrës së pyetjeve që kanë dhe duke marrë parasysh masat mbrojtëse për dëshmitarin, të kalojnë në seancë private.

Kjo gjë u aprovua nga trupi gjykues dhe dëshmitari po vazhdon të dëshmojë në seancë të mbyllur për publikun.

Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e tij llogaritet të zgjasë rreth dy ditë.

Sipas tij, ZPS-ja ka paraparë një orë kohë për ta marrë në pyetje dëshmitarin, mbrojtja e viktimave 15 minuta dhe ekipet mbrojtëse të të akuzuarve 7 orë.