Lajme

Zulfaj takohet me eurodeputetin Picula, në fokus integrimi i Kosovës në BE

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar një takim me eurodeputetin kroat Tonino Picula në Parlamentin Evropian, në kuadër të vizitës së tij në Bruksel.

Gjatë takimit, Zulfaj dhe Picula diskutuan për zhvillimet e fundit politike në Ballkanin Perëndimor, me fokus të veçantë në procesin e integrimit evropian të Kosovës, marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Picula, i cili prej vitesh angazhohet në mbështetje të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, u vlerësua si një njohës i zhvillimeve politike në rajon dhe i sfidave me të cilat përballet Kosova në rrugën drejt integrimit evropian.

Kryenegociatori Zulfaj e falënderoi eurodeputetin kroat për mbështetjen e tij ndaj Kosovës dhe për angazhimin në avancimin e perspektivës evropiane të rajonit.

Marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim mbeten ndër objektivat kryesore të Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Të Ngjashme