Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admirali George M. Wikoff, së bashku me komandantin në largim të KFOR-it, gjeneralmajorin Özkan Ulutaş, dhe komandantin e ardhshëm të këtij misioni, gjeneralmajorin Roberto Vergori, janë takuar me përfaqësues të Listës Serbe dhe kryetarin e Mitrovicës së Veriut.
Gjatë takimit është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit, ndërsa është ritheksuar se mandati i KFOR-it mbetet i pandryshuar.
Sipas njoftimit, KFOR-i vazhdon të jetë i përkushtuar ndaj të gjithë njerëzve dhe komuniteteve në Kosovë, duke mbështetur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë.
Në mesazhin e përcjellë pas diskutimeve, NATO-ja ka theksuar se stabiliteti i qëndrueshëm nuk mund të sigurohet vetëm përmes pranisë ushtarake, por kërkon edhe angazhim politik.
“Megjithatë, siguria afatgjatë varet nga zgjidhjet politike, e jo nga masat ushtarake”, thuhet në njoftim.
