Lajme

107 ditë revoltë në Tiranë, qytetarët vijojnë protestën kundër Qeverisë Rama

Protesta në Tiranë ka shënuar sot ditën e 107-të të revoltës qytetare kundër klasës politike.

Si çdo mbrëmje, protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime nga organizatorët dhe qytetarët e pranishëm.

Kërkesat e protestuesve mbeten të pandryshuara: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, si dhe anulimi i ligjit për zonat e mbrojtura.

Siç raportojnë mediat shqiptare, ditët e fundit, protestës i është bashkuar edhe diaspora shqiptare.

Nën thirrjet “Arrestoni Ramën” dhe “Nuk shitet Shqipëria”, qytetarët, me pankarta e flamuj në duar, kanë vijuar protestën për 107 ditë radhazi.

Gjatë tubimit u dëgjuan thirrje kundër klasës politike, ndërsa protestuesit iu drejtuan edhe Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), duke kërkuar veprime konkrete nga drejtësia.

Protestuesit publikuan gjithashtu një deklaratë lidhur me atë që e cilësojnë si “dhunë policore” ndaj tyre.

Aktivistja Luçiana Kokaj deklaroi se ndërhyrja e policisë përbën, sipas saj, tejkalim të kompetencave dhe se protesta do të vijojë pavarësisht presionit të forcave të rendit.

“Sot protestuesit u përballën me dhunë e represion policor, si në Zvërnec. Kjo dhunë nuk mund të injorohet, duhet dënuar me forcë të lartë, jo vetëm për tejkalim kompetencash, por po përdoret për të frikësuar qytetarët”, u shpreh Kokaj.

Ajo theksoi se protestuesit do të vijojnë të qëndrojnë në shesh, duke e cilësuar bashkimin qytetar si forcën e tyre.

Pas fjalimeve, protestuesit zhvilluan marshimin e përnatshëm në rrugët e kryeqytetit.

Protesta nisi më 31 maj, fillimisht si reagim ndaj projektit të investimit turistik të planifikuar në Zvërnec.

Në vijim, organizatorët kanë artikuluar edhe kërkesa më të gjera politike, duke kërkuar largimin e klasës politike, anulimin e Paketës së Maleve, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, si dhe masa të tjera.

Të Ngjashme