Deputeti i VV-së, Nezir Kraki, po merr pjesë në sesionin e 38-të të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF), që po mbahet në Bruksel të Belgjikës.
Kraki, i cili është kryesues i delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Kosovës pranë APF-së, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në Konferencën e Presidentëve të Rajonit të Evropës, e mbajtur në Shtëpinë e Qytetit të Brukselit.
Përmes një postimi, ai ka bërë të ditur se gjatë kësaj konference ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen ndaj Kosovës dhe ka zotuar një dinamikë të re në marrëdhëniet me botën frankofone.
“Si Kryesues i delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Kosovës pranë APF-së, mbrëmë pata kënaqësinë të marr pjesë në Konferencën e Presidentëve të Rajonit të Evropës, e cila u mbajt në ‘Shtëpinë e qytetit’ të Brukselit, ku shpreha falënderim për mbështetjen ndaj Kosovës dhe premtova dinamikë të re në raportet tona me frankofoninë”, ka shkruar Kraki.
Ai ka theksuar se punimet e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë për Evropë vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme dhe nesër, me diskutime për tema të rëndësishme.
Në delegacionin e Kuvendit të Kosovës, përveç Krakut, janë edhe deputetja Eliza Hoxha dhe sekretarja e delegacionit të përhershëm të Kosovës në APF, Bukurije Rukolli.
Kraki ka vlerësuar se lidhjet me botën frankofone duhet të jenë një synim strategjik afatgjatë për Kosovën, duke theksuar rëndësinë që ka gjuha frënge në formimin e tij personal dhe profesional.
Ai ka falënderuar gjithashtu sekretarin rajonal për Evropë në APF, Fatmir Leci, si dhe përfaqësuesit e Ambasadës së Kosovës në Bruksel, Liridon Bajramin dhe Milot Ahmetin, për praninë dhe kontributin e tyre në aktivitetet e zhvilluara.
