Prishtinë – Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë rënë dakord që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të procedohen përmes një nisme të re ligjore, e cila pritet të nisë javën e ardhshme. Marrëveshja u arrit të enjten, në takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe ushtrueses së detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ndërsa seanca e Kuvendit, në të cilën pritej të votohej ligji i kthyer nga presidentja Justina Shiroka Pula, u shty sërish.
Çitaku, bashkë me Bedri Hamzën, u takua me Kurtin në ndërtesën e Qeverisë para fillimit të seancës. Pas takimit, në një konferencë për media, ajo tha se dy partitë nuk kanë dallime për përmbajtjen.
“Me Kurtin jemi pajtuar për përmbajtjen e ligjit dhe për ndryshimet që duhet të bëhen. Sot u pajtuam edhe për rrugën që do të ndjekim. Nismën e re ligjore do ta ndërmarrim menjëherë javën tjetër, me propozimet tona konkrete”, deklaroi Çitaku.
Sipas saj, projektligji i ri do ta ketë për bazë tekstin që Kuvendi e miratoi në dy lexime në tetor dhe do të përfshijë edhe propozimet e ekspertëve. Çitaku tha se dallimet me LVV-në kanë qenë vetëm te procedura parlamentare dhe se i pranon kritikat për mënyrën si kanë ecur gjërat deri më tani.
Kurti: Na duhet ligj që nuk kthehet mbrapsht
Më herët, duke folur në Kuvend, kryeministri Kurti tha se nuk e mbështet ligjin në përmbajtjen aktuale. Ai tha se nuk dyshon në qëllimin e mirë të nismëtarëve, por e cilësoi tekstin si një shkrim të shpejtë, që erdhi nga pakënaqësia me aktgjykimin e 16 shtatorit.
“Nuk mjafton vetëm kjo – duhet të kemi sukses, duhet të dalim fitimtarë. Për këtë na duhet një ligj, i cili nuk kthehet mbrapsht, nuk anulohet, por një ligj që ka efekt në realitet, në praktikë”, tha Kurti.
Ai tha se pret që grupi punues për Gjykatën Speciale të sjellë javën e ardhshme draftin e parë të ligjit të ri, i cili, sipas tij, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e vendit. Grupi punues i Qeverisë, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, pritet të paraqesë edhe draftin e strategjisë shtetërore për mbështetjen e katër ish-drejtuesve të UÇK-së në procesin e apelit. Kurti ka thënë se aktgjykimi ndaj tyre duhet të korrigjohet në apel.
Ligji që u kthye nga presidentja
Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara u miratuan në Kuvend në tetor, me nismë të PDK-së, disa javë pas aktgjykimit të shkallës së parë, me të cilin Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet. Të katërt i mohojnë akuzat.
Ligji parashihte, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Specialës kryesisht te veprat e përmendura në raportin e Dick Martyt, ngushtimin e periudhës kohore nga 1 korriku 1999 deri në dhjetor 2000, dënimin maksimal deri në 15 vjet, mundësinë e vuajtjes së dënimit në Kosovë dhe të faljes nga presidenti, si dhe kalimin e rasteve të tjera te drejtësia e Kosovës.
Më 22 tetor, presidentja Shiroka Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim, me kërkesë të PDK-së, që në të të përfshiheshin rekomandimet e ekspertëve. Ndërkohë, Zyra e BE-së në Kosovë ka paralajmëruar se ndryshimet ngrenë shqetësime serioze për detyrimet ndërkombëtare të vendit dhe për parimet e sundimit të ligjit.
Votimi ishte shtyrë edhe javën e kaluar: seanca e 12 nëntorit u ndërpre pasi deputetët u vonuan të ktheheshin në sallë pas pauzës, ndërsa ajo e 13 nëntorit dështoi për mungesë kuorumi.
Debati për Specialen vjen dy ditë pasi Thaçi u shpall fajtor edhe në rastin e dytë para kësaj gjykate, për pengim të drejtësisë përmes ndikimit te dëshmitarët.
