Lajme

Blyta: Shoqëria po e vlerëson famën më shumë se dijen, rrezikohet mendimi kritik

Neuropsikiatri, Prof. Dr. Afrim Blyta, ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si shoqëria po i vlerëson individët, duke theksuar se fama, popullariteti dhe numri i ndjekësve në rrjetet sociale po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi sesa dija, kompetenca dhe kontributi intelektual.

Në një fjalim të mbajtur me rastin e 24-vjetorit të Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, në Gjakovë, Blyta ka trajtuar fenomenin e promovimit të individëve që fitojnë vëmendje publike pa pasur domosdoshmërisht njohuri apo kontribute të rëndësishme për shoqërinë.

Sipas tij, shoqëria moderne po përballet me një paradoks, ku njerëzit që kanë njohuri dhe përvojë shpesh mbeten në hije, ndërsa individët që tërheqin vëmendjen përmes deklaratave provokuese apo përmbajtjeve sipërfaqësore fitojnë popullaritet të madh.

“Nuk është problem që njerëzit të bëhen të famshëm. Problemi fillon atëherë kur fama ngatërrohet me mençurinë, popullariteti me kompetencën dhe vetëbesimi me inteligjencën”, ka theksuar Blyta.

Ai ka vlerësuar se rrjetet sociale, përfshirë Facebook, Instagram, TikTok dhe YouTube, e kanë përshpejtuar këtë fenomen, duke krijuar një kulturë ku vëmendja shpesh shpërblehet më shumë sesa përmbajtja cilësore dhe mendimi i argumentuar.

Blyta ka paralajmëruar se një realitet i tillë mund të ketë pasoja edhe për demokracinë, arsimin dhe zhvillimin shoqëror, pasi qytetarët rrezikojnë t’i formojnë bindjet e tyre mbi bazën e popullaritetit dhe jo të fakteve.

“Një shoqëri që nuk e vlerëson dijen bëhet më e cenueshme ndaj manipulimit”, ka deklaruar ai.

Duke folur për rëndësinë e mendimit kritik, Blyta ka theksuar se individët që shfaqin vetëbesim të tepruar, pavarësisht mungesës së njohurive, mund të krijojnë përshtypjen e ekspertëve, sidomos në hapësirën digjitale.

Sipas tij, një tjetër shqetësim është ndikimi që kultura e famës së shpejtë mund të ketë te të rinjtë, të cilët rrezikojnë ta shohin shkollimin dhe punën kërkimore si më pak të vlefshme sesa popullaritetin e fituar në rrjetet sociale.

Neuropsikiatri ka bërë thirrje për rikthimin e respektit ndaj dijes, promovimin e meritokracisë, forcimin e edukimit mediatik dhe zhvillimin e aftësisë për të dalluar faktet nga opinionet personale.

“Numri i ndjekësve nuk është diplomë. Popullariteti nuk është ekspertizë. Vetëbesimi nuk është dëshmi e inteligjencës”, ka theksuar Blyta.

Ai ka nënvizuar gjithashtu se institucionet arsimore duhet të nxisin mendimin kritik dhe jo vetëm riprodhimin e informacioneve, ndërsa qytetarët duhet të jenë më të kujdesshëm ndaj përmbajtjeve që konsumojnë dhe shpërndajnë.

Në përfundim, Blyta ka theksuar se përparimi teknologjik nuk garanton domosdoshmërisht përparim intelektual dhe moral, duke bërë thirrje që shoqëria t’u japë më shumë rëndësi njerëzve që hulumtojnë, krijojnë dhe kontribuojnë për të mirën e përbashkët.

“Një shoqëri fillon ta humbasë mençurinë atëherë kur pushon së admiruari dijen dhe fillon të adhurojë padijen e veshur me vetëbesim”, ka përfunduar ai.

Të Ngjashme