Lajme

​15 kandidatë për deputetë fituan më pak se 10 vota, “kampioni” mori vetëm 4

Ramadan Maliqi nuk është bërë deputet i Parlamentit të Kosovës. Megjithatë, ai fitoi një “status” unik në zgjedhjet e 7 qershorit.

Kandidati që garoi me subjektin Ashkalitë e Bashkuara është “kampion” për sa i përket numrit më të vogël të votave të arkëtuar nga procesi elektoral i 10 ditëve më parë, sipas nje vrojtimi te rezultateve te KQZ-se qe u beri KosovaPress. Ai nuk bindi më shumë se 4 veta t’ia japin atij besimin për t’u futur në parlamentin e Kosovës.

Si pasues të “liderit” me më së paku vota në zgjedhjet e 7 qershorit vijnë katër kolegë të tij nga po i njëjti subjekt politik. Xhemile Rrahmani e Naim Buzolli i morën nga 5, Xhevrije Emini 6 ndërsa Xhevahire Ramadani 7.

Kaq, pra 7, i fitoi edhe Nusret Beqiri nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

Nga 8 vota i morwn tre kandidatë – Ibro Feka i Partisë Liberale Egjiptiane dhe Dashurije Hasani e Adriana Abazi, si kandidate të subjektit Ashkalitë e Bashkuar.

“Pak” më mirë se ta, me nga 9 vota, dolën 6 aspirantë për deputet. Ata janë Kimete Sejdiu nga PSA (Partia e Ashkalinjve për Integrim) , Gitena Uka nga Partia Liberale Egjiptian, Arberita Fetaj e Ashkalinjve të Bashkuar si dhe Besart Berisha, Tyrkan Çollaku e Lulzim Morina nga partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

Këto të dhëna janë marrë nga faqja zyrtare e KQZ-së, rreth orës 14 të 17 qershorit. 

Të Ngjashme