Kryeministri theksoi nevojën për zgjidhje konkrete dhe mbështetje institucionale, duke premtuar angazhim për përmirësimin e mirëqenies së kësaj kategorie.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e HANDIKOS-it, ku në fokus të diskutimit ishin sfidat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara dhe nevoja për mbështetje më të madhe institucionale.
Përmes një postimi, Kurti bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e garantimit të dinjitetit dhe mundësive të barabarta për këtë kategori, si dhe për nevojën që kërkesat e tyre të jenë pjesë e vendimmarrjes institucionale.
Vëmendje e veçantë, sipas tij, i është kushtuar hartimit të një ligji gjithëpërfshirës, i cili do të adresonte në mënyrë të plotë nevojat dhe kërkesat e personave me aftësi të kufizuara.
Kurti theksoi se ky proces duhet të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me organizatat dhe shoqatat përkatëse, të cilat kanë njohuri të drejtpërdrejta për sfidat me të cilat përballen këta qytetarë.
“Si Qeveri angazhohemi maksimalisht për adresimin e këtyre kërkesave dhe përmirësimin e mirëqenies së personave me aftësi të kufizuara”, ka shkruar Kurti.
