Britania e Madhe u ka bërë thirrje shtetasve të saj në Kosovë të tregojnë kujdes dhe të shmangin turmat e mëdha dhe demonstratat.
Në këshillën e përditësuar për udhëtime, Qeveria britanike njofton se gjatë kësaj jave priten tubime të mëdha në Prishtinë dhe në qendra të tjera urbane të Kosovës, përfshirë edhe 16 shtatorin, ditën kur pritet të shpallet aktgjykimi për ish-krerët e UÇK-së.
Sipas autoriteteve britanike, tubimet mund të shkaktojnë pengesa në qarkullim, si dhe vështirësi në transportin publik.
Shtetasve britanikë që ndodhen në Kosovë u është rekomanduar të ndjekin rregullisht zhvillimet lokale, të planifikojnë kohë shtesë për udhëtim dhe të qëndrojnë larg turmave të mëdha dhe protestave.
“Gjatë javës së ardhshme, përfshirë datat 12 dhe 16 shtator, do të ketë tubime të mëdha në Prishtinë dhe në qendra të tjera urbane. Kjo mund të shkaktojë pengesa, përfshirë ndërprerje në trafik dhe në transportin publik. Informohuni rregullisht për zhvillimet lokale, planifikoni më shumë kohë për udhëtim dhe qëndroni larg turmave të mëdha apo demonstratave”, thuhet në këshillën britanike.
Paralajmërimi i Britanisë së Madhe vjen pas këshillave të ngjashme të publikuara edhe nga Franca dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë paralajmëruar shtetasit e tyre në Kosovë për tubimet dhe zhvillimet e mundshme gjatë 16 shtatorit.
Në këtë datë, në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
