Gjykata e Tiranës vendosi të shtyjë ekzekutimin e dënimit me burg për 34-vjeçaren Dorina Sejdini, duke urdhëruar lirimin e saj nga burgu i grave në Pojskë, ku qëndronte së bashku me foshnjën e saj njëvjeçare.
Vendimi u mor pas kërkesës së paraqitur nga avokati mbrojtës Bari Shyti, i cili kërkoi pezullimin e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë.
Dorina Sejdini u arrestua pak ditë më parë pasi hyri në Shqipëri nga pika kufitare e Muriqanit, teksa kthehej me familjen nga Gjermania.
Sipas autoriteteve, ndaj saj ishte në fuqi një vendim i formës së prerë, që e dënonte me 2 muaj burg për veprën penale të dhunës në familje ndaj vjehrrit të saj.
34-vjeçarja u paraqit vullnetarisht në Komisariatin nr. 6, pasi u njoftua nga policia për ekzistencën e vendimit.
Më pas u transferua në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë.
Fillimisht foshnja mbeti jashtë institucionit, por një ditë më vonë iu dërgua nënës, pasi ajo ushtroi të drejtën e parashikuar në ligj për të mbajtur pranë fëmijën nën moshën 3 vjeç.
Ndërkohë, dy fëmijët e tjerë të mitur 7 dhe 2 vjeç mbetën në kujdesin e familjarëve.
Në seancën e zhvilluar këtë të enjte, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, duke bërë të mundur lirimin e menjëhershëm të Dorina Sejdinit nga burgu.
Çështja do të vijojë të shqyrtohet në rrugët ligjore për sa i përket vendimit penal të dhënë ndaj saj.
