Lajme

35 persona akuzohen për krime lufte në Prekaz, kryeprokurori vlerëson punën e institucioneve

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi ka vlerësuar angazhimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera zbatuese të ligjit në hetimin dhe procedimin e rastit që lidhet me krimet e luftës të kryera në lagjen e Jasharëve, në fshatin Prekaz të Komunës së Skenderajt.

Sipas Kryeprokurorit, institucionet kanë qenë të angazhuara në të gjitha fazat e procedurës penale, nga hetimi fillestar deri te ngritja e aktakuzës ndaj 35 personave, të dyshuar për përfshirje në krime lufte.

Gashi e ka cilësuar këtë rast si një nga rastet më të ndjeshme dhe më të rënda të ndodhura gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ai ka theksuar se vënia para përgjegjësisë e urdhërdhënësve dhe autorëve të këtyre krimeve ka qenë dhe mbetet një nga misionet kryesore të Prokurorit të Shtetit, me qëllim zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë.

“Ky është njëri nga rastet më të ndjeshme dhe më të rënda të ndodhura gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe vënia para përgjegjësisë e urdhërdhënësve dhe autorëve të këtyre krimeve ka qenë dhe mbetet mision i institucionit të Prokurorit të Shtetit për zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë”, thuhet në komunikatën për media.

Në vlerësimin e tij, puna e institucioneve të drejtësisë dhe organeve të zbatimit të ligjit në këtë rast paraqet një hap të rëndësishëm në adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Të Ngjashme