Lajme

​51 raste të armëmbajtjes pa leje në veri, Policia s’e përjashton të ketë sasi të tjera armatimi

Gjetja e armëve në shtëpi të braktisura në komunat veriore vazhdon të jetë pjesë e aksioneve të Policisë së Kosovës. Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti janë identifikuar 51 raste të armëmbajtjes pa leje.

Zëvendëskomandanti i Policisë në rajonin e veriut, Veton Elshani, Elshani vlerëson se nuk ka rritje të rrezikshmërisë në veri.

Elshani: 51 raste të armëmbajtjes pa leje në veri gjatë gjashtë muajve

Në këtë gjashtëmujor kemi 51 raste të identifikuara të armëmbajtjes pa leje, me 18 të dyshuar. Pjesën tjetër të të dyshuarve ende nuk i kemi identifikuar, por kjo nuk tregon se kemi ndonjë ngritje të rrezikshmërisë në veri të vendit. Kjo më shumë tregon se kemi bashkëpunim të mirë me qytetarët e veriut”.

Secila armë që gjendet në veri të vendit, apo më mirë të themi secila armë që largohet nga veriu i vendit, për ne është më shumë siguri dhe tregon se ka më shumë siguri në këtë vend. Sidoqoftë, konsiderojmë se këto armatime që gjenden nëpër shtëpi të braktisura nuk janë pjesë e ndonjë grupi të organizuar. Në raste kur kemi dhunë në familje, grabitje apo diçka të tillë, lëndime të rënda apo të lehta trupore, për ne është me rëndësi që këto armë të mos paraqesin ndonjë rrezik të madh për sigurinë në nivel vendi”, tha ai.

Policia e Kosovës nuk e përjashton mundësinë që në veri të vendit të ketë ende sasi të tjera armatimi, por se çdo informacion i pranuar trajtohet dhe pasohet me reagim nga institucionet e sigurisë, thotë Elshani.

Elshani: Policia nuk përjashton sasi të tjera armësh në veri, nuk ka zonë ku nuk mund të ndërhyjmë

Asnjë gjë nuk përjashtohet për veri të vendit, ne jemi vigjilent në punën tonë që e kryejmë, kemi pranuar shumë informata, kemi gjetur armatim, nuk përjashtohet që mundet me pas edhe sasi tjetër të armatimit në veri të vendit, por kurdo që kemi ne informacion për to ne reagojmë. Ajo që është më shumë rëndësi dhe që e kemi përmendur është që nuk ka ndonjë zonë në veri të vendit që ne nuk mund të ndërhyjmë dhe ku ne nuk kemi qasje, kjo nga aspekti i sigurisë është shumë e rëndësishme për ne. Dhe kemi shumë e më shumë bashkëpunim me qytetarët se sa kemi pasur, po e zëmë në vitin 2023, e kjo tregon që ne jemi të gatshëm për të reaguar edhe gjetur armë aty ku do që ka dhe ka nevojë dhe kemi informata”, deklaroi Elshani.

Elshani bëri të ditur se për një pjesë të rasteve policia ka arritur të identifikojë personat përgjegjës, ndërsa për raste të tjera hetimet vazhdojnë për gjetjen e pronarëve të armëve apo të të dyshuarve.

Elshani: Disa pronarë të armëve në veri janë identifikuar, për të tjerët hetimet vazhdojnë

“Disa prej tyre ne i kemi identifikuar, disa jo, mirëpo nuk është që ne e lëmë hetimin pa u zhvilluar. Në momentin që i gjejmë pronarët ose i vendosim në top listat e Policisë së Kosovës si persona në kërkim nga policia, me interes për ne për t’u intervistuar, ose vazhdojnë hetimet në mënyrë që ne t’i gjejmë këta njerëz kudo që janë. Shumica e rasteve prej këtyre 51 rasteve kanë qenë shtëpi të braktisura, persona të cilët nuk kanë qenë aty. Kjo tregon, siç thash edhe më herët, bashkëpunimin e mirë me komunitetin dhe qytetarët që ne e kemi”, tha Elshani.

Zëvendëskomandanti i Policisë për rajonin e veriut njoftoi se gjatë aksioneve të Policisë në veri janë gjetur lloje të ndryshme armësh

Elshani: Në veri janë gjetur armë të llojeve të ndryshme, përfshirë edhe kallashnikovë e pushkë M48

Prej armëve të shkurta, të gjata, armë, pushkë gjuetie, pushkë M48, kallashnikovë, të gjitha llojet që ka pasur në këtë vend. E mbaj mend që në veri të vendit ka pasur armatim pa hesap dhe ato nuk e di se si janë shpërndarë, a kanë mbetur prej luftës apo kanë ardhur më vonë, sepse ne kemi shumë armatim që është prodhuar në vitin 2020/2021 dhe ka hyrë këtu në këtë vend dhe e kemi gjetur. Por për ne nuk është ndonjë çudi të gjejmë armatim në këtë vend, për ne është me rëndësi të ofrojmë rend dhe qetësi publike, të ofrojmë shërbim për të gjithë qytetarët e veriut. Kjo varet edhe nga prokurori. Ne kemi raste ku, po e zëmë, kemi një lëndim të lehtë trupor, ose vjen qytetari vetë dhe e lajmëron armën, thotë: ‘E kam në këtë vend’, është bashkëpunues me policinë. Pastaj policia e ka obligim ta njoftojë prokurorin dhe kështu ka ndodhur rasti, dhe ata lirohen në procedurë të rregullt. Ne kemi raste ku kemi gjetur armë gjuetie të cilat kanë qenë me leje të skaduara, leje të cilat kanë qenë jo valide dhe nuk kanë paraqitur ndonjë rrezik për sigurinë e përgjithshme nga ai person, nëse mbetet në liri. Por, nëse ka ndonjë rast, për shembull dhunë në familje, ata persona arrestohen pa marrë parasysh nëse gjendet arma te ai person. Kemi raste të tjera të lëndimit të lehtë apo të rëndë trupor, ku parashihet se ai mund ta përsërisë veprën. Janë gjëra të përcaktuara me ligj se kur një person duhet të mbahet dhe këtë e merr si vendim të fundit prokurori”, përfundoi Elshani.

Ndërsa, gazetari serb Branislav Krstiq vlerësoi se çështja e armatimit në veri të Kosovës duhet të shihet në një kontekst më të gjerë, duke ngritur pyetje se si dhe nga kush është siguruar ky armatim dhe pse nuk është realizuar një proces i organizuar çarmatimi.

Krstiq: Çështja kryesore është kush i armatosi serbët dhe pse nuk pati proces çarmatimi

Kur flasim për armët, çështja kryesore është, kush i armatosi serbët? A ka pasur ky armatosje e serbëve në veri të Kosovës ndonjë pëlqim nga KFOR-i apo nga forcat ndërkombëtare të sigurisë? Kush lejoi që ajo sasi e madhe armatimi të kalonte nëpër pikat kufitare, përkatësisht administrative? Dhe vërtet është kruciale (shumë e rëndësishme) se pse në një moment të caktuar nuk u mor një vendim me marrëveshje, në bazë të të cilit ai që i armatosi serbët të kishte detyrimin që brenda një apo dy muajve t’i çarmatoste ata. Kështu, çdo gjë ka mbetur që shteti i Kosovës dhe aparati policor i shtetit të Kosovës t’i zgjidhin këto raste sporadike. Ajo që mund të nxjerrim si pjesë të realitetit kosovar është se këto sasi minimale të armëve individuale apo ndonjë municioni të mbetur janë vetëm mbetje ndoshta edhe nga ish-veteranët e luftës, nga gjithë ajo që ka ndodhur dekadat e fundit në mbarë Ballkanin. Ajo që mund të përbëjë shqetësim është se në çfarë mase dhe në çfarë sasie ekzistojnë ende bunkerë të caktuar, përkatësisht depo të caktuara me sasi më të mëdha armësh. Është krejtësisht e sigurt se Kosova është e armatosur. Një aksion për dorëzimin vullnetar të armëve ndoshta do të jepte rezultate të caktuara. E dimë se që nga ardhja e misionit ndërkombëtar paqeruajtës, KFOR-i në disa raste ka iniciuar aksione ku qytetarët e Kosovës u janë përgjigjur dhe kanë dorëzuar armët. Se a do të kishte kjo efekt në veri, ne nuk e dimë, sepse serbët nuk e kanë pasur këtë mundësi. Nga ana tjetër, sigurisht që ka një jehonë të fortë nëse flasim për faktin se në çfarë mase janë të armatosur qytetarët e kombësisë shqiptare, pra në rajonin e Metohisë, përkatësisht të Rrafshit të Dukagjinit, në rajonin e Drenicës apo të Podujevës. Në këtë kuptim, atëherë mund të themi se ekzistojnë standarde të caktuara. Le të përpiqemi të kuptojmë se shteti i Kosovës ka vendosur që fillimisht të nisë kërkimin dhe projektin e konfiskimit të armëve ndaj atyre që potencialisht, ose në një periudhë të afërt afatshkurtër, do të cenonin stabilitetin e shtetit të Kosovës. Sidoqoftë, është plotësisht e sigurt se edhe sasitë e armatimit që ekzistojnë në jug të lumit Ibër, në një periudhë më afatgjatë, do të përbëjnë një problem serioz për sigurinë e të gjithë qytetarëve në Kosovë”, tha Krstiq.

Ai tha se qytetarët në veri të Kosovës nuk kanë arsye të ndihen të pasigurt për shkak të sasive të armëve që janë gjetur apo që mund të ekzistojnë ende, duke u bazuar, sipas tij, edhe në raportet e Policisë së Kosovës për mungesën e incidenteve të armatosura në këtë pjesë të vendit.

Krstiq: Sasitë e armatimit në veri nuk mund të rrezikojnë stabilitetin e Kosovës

Nuk ekziston asnjë rrezik që qytetarët në veri të Kosovës të ndihen më pak të sigurt për shkak se ekzistojnë, si të thuash, sasi të caktuara të armëve të mbetura apo të armëve të blera rishtazi. Ajo që konfirmojnë edhe gjetjet dhe raportet e Policisë së Kosovës është se ne në veri të Kosovës nuk kemi pasur asnjë vrasje ndërmjet qytetarëve dhe asnjë incident të armatosur. Në të njëjtën kohë, nga ana tjetër, në Prishtinë, në Gjilan, në Ferizaj, kemi pothuajse në baza mujore nga një incident të armatosur. Prandaj, nuk ka ndonjë shqetësim serioz të qytetarëve lidhur me praninë e këtyre sasive të armatimit. Për më tepër, duhet pasur parasysh se fokusi i forcave policore të Kosovës është pikërisht në veri, dhe kjo me të drejtë, pasi kemi pasur incidentin në kanal (Ibër-Lepenc) dhe ngjarjet në Banjskë. Në këtë kuptim, mendoj se askush në Kosovë nuk duhet të jetë i shqetësuar, sepse besoj se bëhet fjalë për sasi që në asnjë mënyrë nuk mund të rrezikojnë stabilitetin jo vetëm të shtetit, por edhe të qytetarëve në këtë pjesë të Kosovës”, tha Krstiq.

Ai vlerësoi se armatimi i gjetur në veri të Kosovës mund të ketë prejardhje të ndryshme, duke theksuar se një pjesë mund të jetë trashëgimi nga periudhat e mëhershme, ndërsa armët e prodhimit më të ri kërkojnë hetim më të thellë nga institucionet e sigurisë.

Krstiq: Armatimi në veri mund të jetë trashëgimi e luftës, por armët e reja kërkojnë hetim

Ky armatim mund të jetë i dy llojeve. Kjo do të thotë se një pjesë e këtij armatimi dhe pajisjeve të mbetura të policisë apo ushtrisë së Jugosllavisë, përkatësisht Serbisë, është ndoshta trashëgimi e të ashtuquajturve civilë të mobilizuar në kohën e bombardimeve të Jugosllavisë. Është veçanërisht shqetësuese nëse ekzistojnë armë dhe pajisje të një date më të re. Në këtë rast, është tashmë detyrë e policisë të hulumtojë nëse ky është pjesë e një armatimi që mund të shërbente për lloje të tjera aksionesh brenda shtetit të Kosovës – aksione në drejtim të destabilizimit të shtetit të Kosovës. Apo ndoshta bëhet fjalë për armatim që ka qenë pjesë e ndonjë projekti i cili me kalimin e kohës është vjetruar e tejkaluar dhe i cili, me konsolidimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës edhe në veri të vendit, e ka gjetur këtë pajisje pa pronarët e saj dhe pa ndonjë fuqi reale përdorimi”, tha ai.

Gjetja e armëve në veri të Kosovës mbetet një çështje që trajtohet nga institucionet e sigurisë, ndërsa Policia e Kosovës thotë se vazhdon të reagojë në çdo rast kur pranon informacione për armatim të fshehur. Derisa autoritetet vlerësojnë se situata e sigurisë nuk është përkeqësuar, njohësit e zhvillimeve në veri theksojnë rëndësinë e identifikimit të origjinës së këtyre armëve dhe të mundësisë së ekzistimit të sasive më të mëdha të armatimit.

Të Ngjashme