Nëntë turistë të huaj janë shpëtuar nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare gjatë dy ndërhyrjeve të ndryshme në zonat bregdetare të Himarës dhe Ksamili.
Sipas njoftimit të Policisë së Shqipërisë, ndërhyrja e shpejtë dhe profesionale e shërbimeve policore bëri të mundur shmangien e pasojave për jetën e turistëve, të cilët u gjendën në vështirësi gjatë lundrimit në det.
Rasti i parë u regjistrua në zonën e Filikurit, në Himarë, ku një shtetase spanjolle njoftoi autoritetet se i fejuari i saj, shtetasi spanjoll A. G., kishte mbetur në det pasi kajaku me të cilin po lundronte ishte fundosur.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare nisën menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit.
Brenda një kohe të shkurtër, turisti u lokalizua, u nxor nga uji dhe u transportua në mënyrë të sigurt pranë Pikës së Kontrollit Kufitar Himarë.
Ndërkohë, në Ksamil, rreth orës 12:45, policia ndërhyri për t’u ardhur në ndihmë 8 turistëve brazilianë, pjesëtarë të së njëjtës familje, pasi mjeti i tyre lundrues rrezikonte të fundosej pranë zonës së “Tre Ishujve”.
Me ndihmën e gomoneve dhe mjeteve ujore të ndërhyrjes së shpejtë, turistët u shpëtuan pa pasoja, ndërsa skafi plastik u rimorkua në mënyrë të sigurt drejt plazhit “Puerto Rico” në Ksamil.
Të dy operacionet përfunduan me sukses dhe turistët shprehën mirënjohjen e tyre për reagimin në kohë dhe profesionalizmin e shërbimeve të Policisë Kufitare.
“Policia Kufitare mbetet maksimalisht e angazhuar për garantimin e sigurisë së jetës në det dhe apelon për respektimin e rregullave të lundrimit, përdorimin e mjeteve të sigurisë, si dhe shmangien e lundrimit në zona që paraqesin rrezik”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/
