Lajme

A do të ndryshojë kandidati për president? Jakupi “zbulon” çfarë mund të diskutojnë Kurti e Abdixhiku

Pas takimit të fundit mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut, kreu i LDK-së ka lënë të hapur mundësinë që palët të takohen sërish.

Lidhur me këtë, analisti politik Zejnullah Jakupi, në një prononcim për “Bota sot” vlerëson se takimi duhet parë si një përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar, e cila është bërë edhe më komplekse pas qëndrimit të gjashtë deputetëve të LDK-së kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut.

“Takimi i radhës ndërmjet Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut duhet parë si një përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga situata e krijuar, e cila tashmë është bërë më komplekse pas qëndrimit të gjashtë deputetëve të LDK-së kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut.

Në politikë, veçanërisht në një situatë kaq të ndjeshme institucionale, takimi dhe dialogu duhet të shihen si mundësi për të gjetur zgjidhje dhe jo si formalitet. Marrëveshja fillestare mes VV-së dhe LDK-së për Sejdiun është vënë seriozisht në pikëpyetje nga qëndrimi i këtyre deputetëve, ndërsa vetë Abdixhiku e ka konsideruar këtë zhvillim si tejet të dëmshëm për procesin”, ka thënë ai.

Sipas Jakupit, në takimin e ri mund të shqyrtohet edhe mundësia e një kandidature tjetër për president, nëse kjo do të ndihmonte në sigurimin e një konsensusi më të gjerë parlamentar.

Image
Zejnullah Jakupi

“Prandaj, nuk do ta përjashtoja mundësinë që në një takim të ri të diskutohet edhe për një alternativë tjetër. Nëse një emër tjetër për president do të mund të siguronte konsensus më të gjerë brenda Kuvendit dhe do të shmangte bllokadën institucionale, atëherë kjo duhet të konsiderohet seriozisht. Qëllimi kryesor nuk duhet të jetë këmbëngulja për një emër të caktuar, por gjetja e një zgjidhjeje që siguron funksionalitetin e institucioneve dhe i shërben interesit të vendit.

Megjithatë, një kompromis i tillë kërkon vullnet politik nga të dyja palët. Nuk mjafton vetëm një marrëveshje mes dy kryetarëve të partive; ajo duhet të jetë e pranueshme edhe për deputetët dhe të sigurojë numrin e nevojshëm të votave. Vetë Kurti ka deklaruar se situata e krijuar nga gjashtë deputetët përbën një realitet të ri politik dhe se për këtë arsye nevojiten konsultime të reja”, ka shtuar ai.

Analisti politik thekson se, nëse ekziston një emër që mund të marrë mbështetje më të gjerë në Kuvend, atëherë një mundësi e tillë duhet të shqyrtohet, duke pasur parasysh krizën e zgjatur institucionale.

“Nëse ekziston mundësia për një emër konsensual që mund të votohet nga një shumicë më e gjerë, do të ishte e papërgjegjshme që kjo mundësi të mos shqyrtohej. Kosova ka kaluar tashmë një periudhë të gjatë të pasigurisë dhe bllokadës politike, ndërsa zgjedhjet e reja do të duhej të ishin opsioni i fundit, jo zgjidhja e parë. Edhe marrëveshja fillestare VV–LDK u konceptua pikërisht si përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit institucional.

Në fund, ajo që duhet të mbizotërojë është interesi institucional. Nëse kompromisi nënkupton ndryshimin e emrit të kandidatit për president dhe kjo mundëson zgjedhjen e presidentit me një mbështetje më të gjerë parlamentare, atëherë një opsion i tillë duhet të jetë në tavolinë. Por nëse palët nuk arrijnë të gjejnë një formulë të pranueshme, atëherë përgjegjësia politike për pasojat duhet të jetë e qartë dhe të mos i atribuohet vetëm një partie apo një grupi deputetësh”, ka përfunduar Jakupi.

Të Ngjashme