Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit ka hapur debat të ri brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku një pjesë e figurave dhe strukturave të partisë po e konsiderojnë performancën zgjedhore si zhgënjyese, e jo si sukses.
Ndonëse LDK-ja ka shënuar një rritje të lehtë krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar, shumë anëtarë vlerësojnë se kjo rritje nuk përputhet me pritjet dhe me investimin politik të bërë gjatë muajve të fundit.
Zëra kritikë brenda partisë, përfshirë Avdullah Hotin, Arben Gashin dhe Rrezarta Krasniqin, kanë shprehur pakënaqësi lidhur me rezultatin, duke ngritur pikëpyetje për drejtimin politik dhe strategjinë e ndjekur nga udhëheqja aktuale.
Kjo ka nxitur diskutime nëse LDK-ja po hyn në një fazë të re tensionesh të brendshme dhe nëse kryetari Lumir Abdixhiku mund të përballet me presion politik apo kërkesa për përgjegjësi pas rezultatit zgjedhor.
Zhvillimet e javëve dhe muajve në vijim pritet të tregojnë nëse kritikat do të mbeten në nivel deklarativ apo do të shndërrohen në një debat më të gjerë për të ardhmen politike dhe organizative të partisë.
Duke parë këto zhvillime, shtrohet pyetja nëse mund të ketë kërkesa për reforma të brendshme, zgjedhje partiake apo sfida ndaj lidershipit aktual të LDK-së.
Zogaj: Pakënaqësitë brenda LDK-së janë të arsyeshme dhe duhet të mirëkuptohen e të pranohen si një mundësi për reflektim
Për këtë çështje, për “Bota sot” foli publicisti Skënder Zogaj, i cili tha se është e natyrshme kjo pakënaqësi brenda LDK-së pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Sipas tij, pakënaqësitë e shprehura brenda kësaj partie duhet të pranohen si një mundësi për reflektim ose edhe për një mobilizim të ri partiak.

Skënder Zogaj
“Rezultati i dobët në zgjedhjet e 7 qershorit është arsye e mjaftueshme për pakënaqësi. LDK-ja, flamurtare e një historie të veçantë politike në Ballkan, e para që iu kundërvu diktaturës komuniste dhe që zgjoi vëmendjen ndërkombëtare për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, nuk mund të pajtohet lehtë me faktin që sot të mbetet prapa partive simotra të krijuara si eksperimente politike.
Prandaj, pakënaqësitë brenda LDK-së janë të arsyeshme dhe duhet të mirëkuptohen e të pranohen si një mundësi për reflektim, zgjim dhe mobilizim të ri partiak. Ky mirëkuptim duhet të shprehet para së gjithash nga kryetari Lumir Abdixhiku, i cili ka obligimin politik dhe moral të ofrojë transparencë dhe llogaridhënie për sukseset dhe mossukseset. Vetëm kështu strukturat partiake mund të çlirohen nga tensionet e akumuluara në prapaskenë dhe nga pakënaqësitë e zyrtarëve e aktivistëve që kërkojnë vlerësim të drejtë dhe përgjegjësi politike”, deklaroi ai.
Po ashtu, Zogaj vlerëson se nëse ruhet urtësia, mund të shmangen edhe përplasjet në këtë parti.
Në këtë pikë, ai konsideron se prioritet për LDK-në në muajt e ardhshëm duhet të jenë zgjedhjet e brendshme partiake.
“Nëse ruhet urtësia tradicionale e LDK-së, nuk ka arsye për përplasje. Mund të ketë debate të nxehta, por edhe vendime të vlefshme për mobilizim dhe ringritje, sepse nga kjo përfitojnë të gjithë. Debati demokratik nuk është dobësi, por forcë e një partie që synon të rikthejë besimin e elektoratit. Në muajt e ardhshëm, prioritet mbi të gjitha prioritetet duhet të jetë organizimi i zgjedhjeve të brendshme partiake.
Aktualisht, një pjesë e madhe e strukturës së LDK-së funksionon mbi bazën e emërimeve, nga niveli lokal deri në atë qendror. Prandaj, gara e brendshme demokratike për ndërtimin e strukturave dhe zgjedhjen e udhëheqësve me votën e anëtarësisë është kusht jetik, jo vetëm për suksesin, por edhe për vetë ekzistencën e partisë. Kjo ka qenë formula e LDK-së rugoviane, ku vota dhe vetëm vota ishte çelësi vendimtar. Mandati i fituar me votë është përgjegjësi dhe detyrim moral që i zgjedhuri e mbron me përkushtim”.
Ndër të tjera, publicisti shtoi se debati i hapur dhe demokratik janë baza e rimëkëmbjes që i duhet sot LDK-së.
“Anëtarësia e LDK-së ka nevojë për mekanizma që e fuqizojnë dhe e bëjnë pjesë të vendimmarrjes, e jo për zgjidhje të gatshme që i imponohen nga lart. Përballja e sinqertë me sfidat krijon unitet. Jo presionet dhe heshtja, por debati i hapur dhe demokratik brenda partisë janë baza e rimëkëmbjes që i duhet sot LDK-së”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.
Haziri: Tensionet në LDK nuk janë ato që shfaqen tani, por ato e kanë përcjellë partinë që nga zgjedhjet e 28 dhjetorit
Kurse, analisti politik, Nexhat Haziri u shpreh i zhgënjyer me rezultatin e LDK-së në zgjedhjet e fundit.
Ai, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh kritik ndaj Abdixhikut dhe Osmanit, duke thënë se këta dy të fundit nuk mund ta mbajnë peng një parti siç është LDK-ja.
“Është fakt se rezultati i LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit ishte tejet zhgënjyes dhe kjo humbje e radhës e LDK-së nuk duhet normalizuar, por kërkon reflektim, së pari nga lidershipi i partisë, i cili duhet të pushojë së improvizuari me procese të brendshme duke i shitur ato si reforma. LDK-ja është aset kombëtar dhe nuk mund të mbahet peng nga një njeri si Lumir Abdixhiku, tashmë në tandem edhe me Vjosa Osmanin për interesa të tyre personale”.
Krahas kësaj, Haziri potencoi se problemet në LDK nuk kanë nisur tani, por që pas përfundimit të zgjedhjeve të dhjetorit të kaluar.

Nexhat Haziri
Sipas tij, fakti se Abdixhiku e Osmani favorizuan disa persona, ndikoi në shpërthimin e pakënaqësive dhe në rezultatin e dobët zgjedhor.
“Tensionet në LDK nuk janë ato që shfaqen tani, por ato e kanë përcjellë partinë që nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Me këto tensione, me një unitet të rremë dhe me favorizime të njerëzve të afërt me Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin edhe në listën e kandidatëve për deputetë, të cilët u favorizuan dhe u promovuan më shumë se të tjerët që ishin kritikë ndaj mënyrës së udhëheqjes së partisë nga Lumir Abdixhiku, hynë në garë në zgjedhjet që sapo përfunduan.
Dhe duke marrë parasysh të gjithë këta faktorë dhe të tjerë, LDK-ja nuk mund të kishte një rezultat të mirë. Andaj mendoj se ky pozicion i LDK-së dhe të gjitha këto probleme të brendshme e bëjnë të domosdoshme hyrjen në një proces të mirëfilltë zgjedhor të brendshëm, i cili duhet të jetë i përgatitur mirë, garues dhe gjithëpërfshirës, që do të prodhonte një lidership të ri, të aftë dhe të gatshëm për t’u përballur me një pushtet që gjithnjë e më shumë po shfaqet si autoritar, një lidership i përgatitur po ashtu për të dhënë alternativa për shumë çështje problematike që sot ka Kosova, si luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit, rendit dhe ligjit, arsimit, shëndetësisë, integrimeve evropiane dhe anëtarësimit në NATO, deri te marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos ruajtjen dhe forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në”.
Në fund, analisti shtoi se anëtarët e LDK-së nuk duhet t’i lejojnë Abdixhikun e Osmanin të bëjnë manovra politike e personale.
“Dhe krejt për fund, nuk duhet lejuar që tandemi Osmani–Abdixhiku, që përmes manovrave politike, siç është edhe koalicioni me LVV-në, të përdoret si instrument për të vazhduar mbajtjen peng të LDK-së nga ana e tyre. Andaj, nëse strukturat e LDK-së dhe anëtarësia e saj duan një LDK të fortë dhe rikthimin e pozicionit të saj si forcë e djathtë dominante në skenën politike kosovare, tani është koha për veprim”, përmbylli Nexhat Haziri për “Bota sot”.
