Mbështetja publike e Richard Grenellit për gjashtë deputetët e LDK-së, të cilët kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për President të Kosovës, ka rikthyer debatet për ndikimin e faktorëve ndërkombëtarë në zhvillimet politike në vend.
Grenelli i ka cilësuar gjashtë deputetët si “miq të shkëlqyer të Amerikës”, ndërsa veçanërisht ka përmendur ish-kryeministrin Avdullah Hoti, duke e bërë edhe më të debatueshme përplasjen brenda LDK-së në raport me marrëveshjen e arritur mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut.
Marrëveshja Kurti-Abdixhiku për kandidaturën e Bekim Sejdiut synon t’i japë fund krizës presidenciale dhe ngërçit institucional, por kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së rrezikon ta rikthejë vendin në një tjetër krizë dhe potencialisht në zgjedhje të reja.
A është mbështetja e Grenellit për gjashtë deputetët pjesë e një përpjekjeje për ta penguar marrëveshjen Kurti-Abdixhiku? A po synohet përmes kundërshtimit të kandidatit për President dobësimi i Kurtit dhe rikthimi i opozitës në pushtet?
Për këto zhvillime, për gazetën “Bota sot” kanë folur Gazmend Halilaj dhe opinionisti Skënder Kapiti.
Halilaj: Kosova nuk duhet të jetë arenë e ndikimeve të huaja politike

Gazmend Halilaj
Fillimisht, Gazmend Halilaj në prononcimin e tij për “Bota sot”, e ka cilësuar shqetësuese ndërhyrjen e Richard Grenellit në zhvillimet politike të Kosovës, veçanërisht në një moment të rëndësishëm për funksionimin e institucioneve.
Halilaj, i cili shprehet se është përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se mbështetja publike e Grenellit për gjashtë deputetët e LDK-së që kundërshtojnë kandidatin e dalë nga marrëveshja Kurti-Abdixhiku nuk duhet të injorohet.
“Si avokat dhe si përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje, e shoh si shqetësuese ndërhyrjen e Richard Grenellit në zhvillimet politike të Kosovës, sidomos në një moment kaq të rëndësishëm për funksionimin e institucioneve tona. Mbështetja publike e Grenellit për gjashtë deputetë të LDK-së që kundërshtojnë kandidatin e dalë nga marrëveshja Kurti–Abdixhiku është një veprim që nuk duhet të injorohet”, deklaron Halilaj për “Bota sot”.
Sipas tij, vendimet për të ardhmen politike të Kosovës duhet të merren nga institucionet e vendit dhe në përputhje me vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës.
“Kosova ka institucionet e saj, ka deputetët e saj dhe ka qytetarët që kanë dhënë vullnetin e tyre politik përmes votës. Nuk është normale që në momente vendimtare politike të Kosovës të shohim ndërhyrje dhe presione nga individë të huaj që përpiqen të ndikojnë në zhvillimet tona të brendshme”, shprehet ai.
Halilaj konsideron se ata që synojnë dobësimin e LVV-së dhe mbajtjen e Kosovës në krizë institucionale duhet të përballen me vullnetin e qytetarëve.
“Ata që sot përpiqen ta dobësojnë LVV-në, ta përçajnë skenën politike dhe ta mbajnë Kosovën në krizë institucionale, duhet ta dinë se qytetarët e Kosovës nuk janë më ata që mund të manipulohen lehtë nga pazaret politike”, thekson Halilaj.
Ai shprehet hapur në mbështetje të LVV-së, duke argumentuar se Kosova ka nevojë për institucione të forta dhe të përgjegjshme.
“Unë e mbështes fuqishëm LVV-në sepse besoj se Kosova duhet të ndërtojë institucione të forta, të pavarura dhe të përgjegjshme para qytetarëve të saj. Nuk kam asnjë iluzion për partitë e tjera politike. Për vite me radhë kemi parë pazare, interesa personale, kalkulime partiake dhe politika që shpesh kanë qenë larg interesit të qytetarëve”, thotë ai.
Në fund, Halilaj thekson se Kosova duhet të vendosë vetë për të ardhmen e saj dhe se asnjë faktor i jashtëm nuk mund ta zëvendësojë vullnetin e qytetarëve.
“Kosova duhet të vendosë vetë për të ardhmen e saj. Vendimet e Kosovës duhet të merren në Kosovë, nga institucionet e Kosovës dhe në interes të qytetarëve të Kosovës. As Grenelli, as askush tjetër nga jashtë, nuk mund ta zëvendësojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës. LVV përfaqëson një ndryshim të domosdoshëm politik. Kosova meriton institucione të forta. Kosova meriton sovranitet politik. Kosova meriton të ecë përpara”, përfundon Halilaj.
Kapiti: Grenelli synon largimin e Kurtit, gjashtë deputetët janë “Kali i Trojës” brenda LDK-së

Skënder Kapiti
Kurse, edhe opinionisti Skënder Kapiti vlerëson se kundërshtimi ndaj marrëveshjes për zgjedhjen e Presidentit dhe mbështetja publike e Richard Grenellit për gjashtë deputetët e LDK-së duhet të shihen në kuadër të një përplasjeje më të gjerë politike kundër Albin Kurtit.
Sipas tij, pas kundërshtimit të marrëveshjes për zgjidhjen e krizës presidenciale fshihet synimi për ta penguar Kurtin që të vazhdojë të jetë kryeministër i Kosovës.
“Ata shqiptarë, politikanë, intelektualë, gazetarë e media, duke përfshirë edhe ndërkombëtarët si Grenell, të cilët janë kundër marrëveshjes për zgjedhjen e Presidentit, pra të zgjidhjes së krizës presidenciale, prapa kësaj fshihet vetëm një qëllim, ai për ta larguar Kurtin dhe për ta pamundësuar që ai të jetë kryeministër i Kosovës. Kjo aleancë anti-Kurti nuk është e sotme, por ajo ka qenë gjithmonë që kur Kurti i fitoi zgjedhjet që herën e parë, dhe është po kjo aleancë PDK-LDK-AAK sot dhe po të njëjtët ndërkombëtarë si Grenelli, i cili dihet se asnjëherë nuk ka qenë pro-Kurtit, por ai ka pasur preferencat e tij personale pro opozitës, dhe ai nuk ka pse të shqetësohet pse Kosova mund të shkojë përsëri në zgjedhje”, deklaron Kapiti për “Bota sot”.
Ai thotë se marrëveshja Kurti-Abdixhiku për Bekim Sejdiun ishte pritur mirë nga qytetarët, ndërsa kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së, sipas tij, rrezikon ta rikthejë vendin në zgjedhje të reja.
“Marrëveshjen Kurti-Abdixhiku për z. Bekim Sejdiu për President, opinioni dhe qytetarët e lodhur dhe të bajatur nga krizat e shpeshta politike në Kosovë e pritën mirë, por 6 deputetë të LDK-së janë deklaruar kundër, që do të thotë se Kosova mund të shkojë përsëri në zgjedhje të tjera të parakohshme. Për krizën në Kosovë nuk duhet të fajësojmë ndërkombëtarët dhe as ndonjë politikan ndërkombëtar, por faji duhet të gjendet dhe të vihen para përgjegjësisë politike, partiake, publike dhe shtetërore ata të cilët bëhen shkaktarë të paqëndrueshmërisë dhe të krizës politike të panevojshme në Kosovë, që janë opozita dhe këta 6 deputetët e LDK-së, që për ego dhe interesa personale nuk pyesin as për Partinë, as për elektoratin dhe as për shtetin dhe interesin kombëtar”, shprehet ai.
Kapiti ngre më pas edhe një krahasim të fortë politik, duke pyetur nëse ka dallim mes qëndrimit të gjashtë deputetëve të LDK-së dhe atij të deputetëve serbë të Listës Serbe.
“Dhe lind pyetja se a ka ndonjë dallim mes qëndrimit të këtyre 6 deputetëve të LDK-së me ata serbë të Listës Serbe, përderisa opozita në Kosovë sillet kundër vullnetit të popullit, i cili votën ia ka besuar LVV-së dhe Albin Kurtit. Mirëpo opozita politike në Kosovë bën tradhtinë, nuk respekton votën dhe nuk respekton as interesin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës, që është ndërtimi i shtetit ligjor, zbatimi i Kushtetutës dhe kryerja e detyrës dhe shërbimit që deputetët duhet të bëjnë karshi atdheut dhe kombit”, deklaron Kapiti.
Në anën tjetër, ai e vlerëson pozitivisht marrëveshjen e arritur nga Lumir Abdixhiku me Kurtin, duke thënë se kryetari i LDK-së ka treguar integritet dhe dinjitet politik përballë krizës institucionale.
“Abdixhiku, kryetari i LDK-së, gjykoj se ai, me marrëveshjen që arriti me Kurtin për kandidaturën e z. Bekim Sejdiu për President të Kosovës, tregoi integritetin dhe dinjitetin e tij dhe të deputetëve të tjerë të LDK-së për zgjidhjen e krizës institucionale në Kosovë. I lumtë Abdixhikut dhe deputetëve që e mbështetën atë. Ata treguan se kanë Kosovën të parën dhe jo interesin e partisë dhe as të pazareve korruptive, gjë e cila e shkëput dhe e ndanë LDK-në nga pjesa tjetër e opozitës agresive, egoiste dhe të korruptuar. Mirëpo dalja e këtyre 6 deputetëve të LDK-së kundër marrëveshjes ka edhe të mirën e saj, sepse zbuloi ‘Kalin e Trojës’ brenda LDK-së, të cilët nuk i dallon asgjë nga deputetët serbë të Listës Serbe”, thotë ai.
Më tej, Kapiti e lidh përplasjen aktuale edhe me mënyrën se si, sipas tij, qeveritë e kaluara janë sjellë ndaj Serbisë dhe veriut të Kosovës, duke e vlerësuar qeverisjen e Kurtit si një shkëputje nga kjo qasje.
“Kurti është rasti i parë, i cili nuk ka pranuar votë nga deputetët serbë dhe as nuk i ka ftuar ata në qeverisje, kur të gjithë të tjerët e kanë bërë një gjë të tillë për interesa personale. Atë se çfarë dëmesh i kanë bërë opozita politike Kosovës me marrëveshjet e saj me Beogradin, asgjë më të dëmshme nuk do ta kishin bërë ndoshta as deputetët serbë, sepse opozita e Kosovës, kur ishte në pushtet, faktikisht e riktheu Serbinë në Kosovë dhe i ka dhënë e lejuar Serbisë çfarë ajo ka dashur, por që fatmirësisht Kosova e votoi Albin Kurtin, i cili e bashkoi Kosovën, nuk lejoi krijimin e shtetit serb brenda Kosovës, Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe, shkatërroi strukturat paramilitare dhe ato komunare paralele serbe, shtriu sundimin e ligjit dhe të Kushtetutës në tërë territorin e Kosovës etj.”, shprehet Kapiti.
Në fund, ai vlerëson edhe qëndrimin e Presidentes Vjosa Osmani, duke thënë se ajo, pavarësisht përplasjeve politike me Kurtin, ka mbështetur zgjidhjen e krizës institucionale.
“Votuesit kosovarë bënë një gabim të madh; bënë atë që nuk shkuan në votime për t’i dhënë mundësinë Kurtit që LVV-ja të formonte e vetme institucionet e Kosovës, por ua dha shansin opozitës destruktive dhe këtyre 6 deputetëve të LDK-së që të pengojnë zgjidhjen e krizës dhe ndërtimin e institucioneve të Kosovës. Pritej ndoshta nga znj. Presidentja Osmani të ishte kundër kësaj marrëveshjeje, pasi ajo ka pasur ambicie të jashtëzakonshme për t’u rizgjedhur Presidente, dhe pavarësisht se ka qenë agresive kundër Kurtit, ajo tregoi se është në anën e duhur, pro zgjidhjes së krizës në Kosovë”, përfundon Kapiti për “Bota sot”
