Lajme

A po synon Përparim Rama lidershipin e LDK-së? Analistët flasin për ripozicionim politik

Në rrjetet sociale ka vijuar përplasja e ashpër mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Dimal Basha, me deklarata të ndërsjella që kanë përshkallëzuar debatin politik.

Rama, në një postim në Facebook, ka kritikuar ashpër Bashën duke e cilësuar të paaftë dhe manipulues, ndërsa ka shtuar se “jeni fatkeqësia e këtij vendi”.

Ai gjithashtu është përfshirë në debat edhe me Dejona Mihalin, duke i kërkuar transparencë mbi rolin dhe aktivitetin e saj politik.

Nga ana tjetër, Dimal Basha i është kundërpërgjigjur me akuza politike ndaj Ramës, duke e lidhur atë me marrëveshje politike për ardhjen në pushtet dhe duke paralajmëruar se zhvillimet në drejtësi mund të kenë pasoja për të në të ardhmen.

Në këtë kontekst tensionesh politike, në opinion janë shtuar edhe diskutimet për pozicionimin e Përparim Ramës brenda LDK-së dhe nëse qëndrimet e tij publike po sinjalizojnë një ambicie më të madhe brenda strukturave udhëheqëse të partisë, përfshirë edhe skenarin e garës për drejtimin e saj. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë deklarim zyrtar nga Rama që konfirmon një synim të tillë.

A tregojnë deklaratat e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, ndaj LVV-së nisjen e një përplasjeje të brendshme për udhëheqjen në LDK dhe a po rrezikohet pozita e Abdixhikut?

Drenori: Përpjekje për ripozicionim të fuqisë politike të zotit Përparim Rama brenda LDK-së!

Analisti politik, Xhavit Drenori në një përgjigje për “Bota sot”, tha se përplasja e Përparim Ramës me Lëvizjen Vetëvendosje shihet më shumë si një tentim për ripozicionim politik brenda LDK-së, pas rezultateve të dobëta zgjedhore.

Sipas tij, kjo mund të lidhet edhe me pakënaqësi brenda partisë dhe me pritjet e parealizuara pas rikthimit të Vjosa Osmanit në LDK.

Image
Analisti politik, Xhavit Drenori

Drenori shtoi se, këto zhvillime mund të çojnë në kërkesa për llogaridhënie ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku në të ardhmen.

“Në fakt ajo që pamë, pra përplasja e Përparim Ramës, kryetari i prishtinës, me Lëvzjen Vetëvendosje, edhe unë e shoh si përpjekje për ripozicionim të fuqisë politike të zotit Përparim Rama brenda LDK-së, pas rezultatit tepër zhgënjyes sipas mendimit tim në zgjedhjet e 7 qershorit, duke pasur parasysh që rikthimi i zonjës Osmani në LDK, është prit që të ketë ndryshim të madh edhe në prurje të votave që nuk ndodhi dhe kjo mund të jetë ndër arsyet kryesore që Rama dhe grupi i pakënaqur brenda LDK-së do të kërkojnë llogaridhënie nga Abdixhiku në një të ardhme ndoshta jo të largët.

Dhe, përpjekjet e tilla janë për treguar një lloj lidershipi, një lloj fuqie publike, sesa ajo për çka realisht po ndodh, pa marrë parasysh përmbajtjen e saj e cila është kundrejt Kurtit, e në prapaskenë fshihet diçka tjetër”, tha ai për gazetën.

Gashi: Përparim Rama, LDK-ja dhe beteja e heshtur për lidership

Kurse, analisti Eduard Gashi tha se deklaratat e Përparim Ramës kundër Vetëvendosjes nuk janë vetëm reagim komunal, por sinjal për ripozicionim politik brenda LDK-së. 

Sipas tij, Rama po synon të ndërtojë profil kombëtar dhe të forcojë pozicionin e tij në raport me Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin, duke u paraqitur si alternativë e re lidershipi në parti.

“Deklaratat e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, kundër Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje nuk duhen lexuar vetëm si reagim komunal. Ato janë shumë më tepër se kaq. Janë sinjali i parë i një ripozicionimi politik brenda LDK-së dhe një test publik se kush ka forcë reale për ta udhëhequr opozitën e djathtë-qendër në Kosovë.

Rama nuk po flet më vetëm si kryetar komune. Ai po flet si figurë politike që kërkon të dalë nga korniza lokale dhe të hyjë në garën e madhe kombëtare. Përplasja me Kurtin i shërben pikërisht kësaj: e vendos atë përballë figurës më të madhe politike të dekadës së fundit dhe i jep mundësi të ndërtojë profilin e “anti-Kurtit” urban, modern, menaxherial dhe pragmatik.

Por problemi për LDK-në është se kjo e hap edhe një pyetje të brendshme: kush është sot fytyra reale e partisë? Lumir Abdixhiku, Vjosa Osmani apo Përparim Rama?

Abdixhiku ka legjitimitetin formal. Ai është kryetari i LDK-së dhe arkitekti i rikthimit të partisë në një vijë më moderne politike. Por kthimi i Vjosa Osmanit në orbitën e LDK-së e ka zbehur automatikisht monopolin e tij mbi lidershipin. Osmani sjell votë, emër, peshë institucionale dhe kapital emocional tek një pjesë e elektoratit që dikur u largua nga LDK-ja.

Në këtë trekëndësh, Përparim Rama po tenton të krijojë një kolonë të tretë: jo lidership tradicional partiak si Abdixhiku, jo lidership presidencial si Osmani, por lidership ekzekutiv, urban dhe praktik. Ai po thotë në mënyrë indirekte: unë jam ai që përballem çdo ditë me LVV-në në terren, jo vetëm në studio televizive.

Prandaj deklaratat e tij kundër Kurtit nuk janë spontane. Ato janë mesazh në tri drejtime.

Së pari, ndaj LVV-së: Prishtina nuk është më territor politik i padiskutueshëm i Vetëvendosjes. Rama synon ta paraqesë LVV-në si forcë që di të fitojë me retorikë, por pengon në qeverisje konkrete.

Së dyti, ndaj elektoratit të LDK-së: ai po mundohet të dëshmojë se ka guxim politik dhe nuk është thjesht administrator komunal.

Së treti, ndaj vetë Abdixhikut dhe Osmanit: Rama po ndërton peshën e tij para betejave të ardhshme brenda partisë”, deklaron Gashi.

Image
Eduard Gashi

Tutje, Gashi në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se Abdixhiku nuk rrezikohet menjëherë, por sfidohet nëse LDK nuk sjell fitore dhe nëse figura të tjera duken më të forta politikisht.

Edhe Vjosa Osmani nuk rrezikohet direkt, por pozita e saj varet nga mënyra si perceptohet brenda partisë.

Sipas tij, deklaratat e Përparim Ramës tregojnë nisjen e një gare të brendshme për drejtimin dhe narrativën e re të LDK-së, pa qenë ende luftë e hapur për kryetar.

“A rrezikohet pozita e Abdixhikut? Jo menjëherë, por po sfidohet. Abdixhiku nuk rrezikohet nga një deklaratë e Përparim Ramës. Ai rrezikohet nëse LDK-ja nuk arrin të prodhojë fitore të qartë politike dhe nëse figura të tjera fillojnë të duken më energjike, më luftarake dhe më të afërta me frustrimin e bazës.

A rrezikohet pozita e Osmanit? Edhe ajo jo menjëherë, por pozicioni i saj është më delikat. Osmani ka kapital të madh personal, por brenda LDK-së mbetet figurë e rikthyer, jo organike për çdo strukturë. Nëse ajo shihet si faktor që e ndihmon LDK-në të rritet, pozita e saj forcohet. Nëse shihet si figurë që krijon hije mbi strukturën e partisë, rezistenca ndaj saj do të rritet.

Në thelb, prapa deklaratave të Përparim Ramës fshihet beteja për narrativën e re të LDK-së. A do të jetë LDK-ja parti e Abdixhikut, parti e rikthimit të Osmanit, apo parti që prodhon figura të reja si Rama?

Kjo nuk është ende luftë e hapur për kryetar partie. Por është fillimi i matjes së forcave. Në politikë, lidershipi rrallë rrëzohet me një deklaratë. Ai rrëzohet kur baza fillon të besojë se dikush tjetër e përfaqëson më mirë momentin politik.

Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku për Abdixhikun: nëse Rama arrin ta kthejë përplasjen me Kurtin në kapital politik personal, ai nuk do të mbetet vetëm kryetar i Prishtinës. Ai do të bëhet pretendues i heshtur për diçka më të madhe.

LDK-ja sot nuk ka vetëm kundërshtar Kurtin. Ajo ka edhe një pyetje të brendshme që po bëhet gjithnjë e më e fortë: kush e udhëheq realisht frymën e saj të re?”, përfundoi ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme