Lajme

A rrezikohet besimi i BE-së ndaj Kosovës? Gjanaj paralajmëron për pasojat e rastit të nëntë somalezëve

Rasti i nëntë anëtarëve të delegacionit zyrtar nga Somalia, të cilët u larguan nga vendi ku ishin akomoduar gjatë vizitës në Kosovë dhe nuk u paraqitën për kthimin e planifikuar, vazhdon të ngrejë pikëpyetje për përgjegjësinë institucionale, kontrollin e hyrjes së shtetasve të huaj dhe besueshmërinë e vendit në raport me partnerët ndërkombëtarë.

Politologu dhe pedagogu i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ramadan Gjanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se në këtë fazë duhet të shmangen përfundimet e parakohshme, pasi ende nuk janë sqaruar rrethanat e sakta të largimit të nëntë shtetasve somalezë.

“Para së gjithash, duhet të relativizojmë përmasat e këtij incidenti, për aq kohë sa nuk janë sqaruar rrethanat e sakta të largimit të nëntë shtetasve somalezë. Në këtë fazë, asgjë nuk na lejon të pohojmë me siguri se këta persona janë larguar nga territori i Kosovës, se kanë mbërritur në ndonjë shtet anëtar të Bashkimit Evropian apo se, që në fillim, kanë pasur për qëllim ta shfrytëzojnë këtë vizitë zyrtare për qëllime migrimi”, ka deklaruar Gjanaj.

Image
Ramadan Gjanaj

Megjithatë, ai ka paralajmëruar se nëse hetimet dëshmojnë se Kosova është përdorur si territor tranziti drejt Bashkimit Evropian, nën petkun e një delegacioni zyrtar, kjo mund të ngrejë shqetësime serioze te partnerët evropianë.

“Nëse hetimet do të dëshmonin se Kosova është përdorur realisht si territor tranziti drejt Bashkimit Evropian, nën petkun e një delegacioni të huaj qeveritar, kjo çështje mund të ngrinte pikëpyetje serioze te partnerët evropianë lidhur me besueshmërinë e mekanizmave të Kosovës për kontrollin e migrimit dhe lëshimin e vizave”, ka thënë ai.

Gjanaj: Liberalizimi i vizave nuk është arritje e pakthyeshme

Duke folur për mundësinë që ky rast të ketë pasoja në procesin e liberalizimit të vizave, Gjanaj ka rikujtuar se qytetarët e Kosovës përfitojnë nga ky regjim që nga 1 janari 2024, pas një procesi të gjatë të përmbushjes së kritereve evropiane.

Ai ka theksuar se Bashkimi Evropian disponon mekanizma që mundësojnë pezullimin e përkohshëm të përjashtimit nga detyrimi për vizë, në rastet kur një shtet nuk i përmbush më kushtet përkatëse.

“Ky liberalizim nuk përbën një arritje të pakthyeshme. Bashkimi Evropian disponon një mekanizëm që mundëson pezullimin e përkohshëm të përjashtimit nga detyrimi për vizë për shtetasit e një vendi të tretë, kur disa kushte nuk përmbushen më. Ky mekanizëm është përforcuar më tej me Rregulloren evropiane të 26 nëntorit 2025, e cila zgjeron mundësitë e ndërhyrjes së Bashkimit Evropian, veçanërisht në fushën e politikës së migrimit, sigurisë dhe harmonizimit të politikave të vizave”, ka shpjeguar ai.

Megjithatë, politologu e konsideron të tepruar që vetëm largimi i nëntë shtetasve somalezë të shihet si shkak i mundshëm për pezullimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Megjithatë, më duket e tepruar të konsiderohet se largimi i nëntë shtetasve somalezë mund të çojë, në vetvete, në pezullimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka theksuar Gjanaj.

Sipas tij, rreziku më i madh do të paraqitej nëse hetimet do të zbulonin mangësi sistematike në procedurat e lëshimit të vizave, rrjete të organizuara të migrimit të parregullt apo bashkëpunim të paligjshëm brenda institucioneve të Kosovës.

Ai ka rikujtuar gjithashtu se Komisioni Evropian i ka kërkuar Kosovës vazhdimin e harmonizimit të politikës së vizave me atë të Bashkimit Evropian, si dhe forcimin e mekanizmave për kontrollin e shtetasve të huaj që mund të paraqesin rrezik në aspektin migrator apo të sigurisë.

Procesi i integrimit evropian, një tjetër çështje në rrezik

Përveç liberalizimit të vizave, Gjanaj ka ngritur shqetësimin se rasti mund të ndikojë edhe në besueshmërinë e Kosovës në procesin e integrimit evropian.

Ai ka theksuar se, në kohën kur Kosova synon të fitojë statusin zyrtar të vendit kandidat për anëtarësim në BE, institucionet duhet të shmangin krijimin e pikëpyetjeve të reja për funksionimin e tyre.

“Prandaj, besimi i partnerëve evropianë do të varet më pak nga vetë incidenti sesa nga aftësia e autoriteteve të Kosovës për ta sqaruar atë, për të identifikuar përgjegjësitë eventuale dhe, sipas rastit, për të ndërmarrë masat e nevojshme që një situatë e tillë të mos përsëritet”, ka deklaruar ai.

Gjanaj ka vlerësuar se aktualisht është ende herët të përcaktohet nëse bëhet fjalë për një incident të izoluar apo për një problem më të thellë institucional. Megjithatë, sipas tij, karakteri i pazakontë i rastit kërkon hetime të hollësishme nga autoritetet kompetente.

Ai ka vënë në dukje se nuk bëhet fjalë për nëntë shtetas të huaj që kanë hyrë individualisht në Kosovë për qëllime turistike apo profesionale, por për anëtarë të një delegacioni zyrtar qeveritar prej njëmbëdhjetë personash, nga të cilët vetëm dy zyrtarët qeveritarë janë kthyer në Somali pas përfundimit të vizitës.

Kush e organizoi vizitën dhe si u verifikuan anëtarët e delegacionit?

Në këtë kontekst, politologu ka ngritur një sërë pyetjesh që, sipas tij, duhet të marrin përgjigje nga institucionet e Kosovës.

“Kush e kishte ndërmarrë iniciativën për këtë ftesë zyrtare? Cili ishte qëllimi i saktë i vizitës? Cilat ishin funksionet reale të nëntë personave në kuadër të administratës somaleze? Në bazë të cilave dokumente autoritetet e Kosovës e kishin autorizuar hyrjen e tyre në territorin e vendit? Dhe, së fundi, si kanë mundur këta persona të largohen nga vendi ku ishin akomoduar, pa u bërë e ditur deri më sot se ku ndodhen?”, ka pyetur Gjanaj.

Ai ka theksuar se duhet të sqarohet nëse institucionet e Kosovës kanë kryer verifikimet e nevojshme me homologët e tyre somalezë përpara se të autorizonin hyrjen e delegacionit.

Sipas tij, fakti që një person prezantohet si pjesë e një delegacioni zyrtar të huaj nuk i përjashton autoritetet kompetente nga detyrimi për të verifikuar identitetin, pozitën dhe kushtet e hyrjes së tij në territorin e Kosovës.

Kritikon mungesën e transparencës institucionale

Një tjetër çështje që Gjanaj e ka konsideruar të rëndësishme është mungesa e informacionit publik për zhvillimet pas largimit të nëntë personave.

Ai ka rikujtuar se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u ka dërguar një notë verbale autoriteteve somaleze për të kërkuar sqarime. Megjithatë, ka theksuar se deri më tani nuk është bërë publik informacion i mjaftueshëm për hapjen e një hetimi gjyqësor, vendndodhjen e personave apo rrethanat e largimit të tyre.

Gjithashtu, ai ka vënë në dukje se deri më tani nuk ka pasur një qëndrim publik të Bashkimit Evropian lidhur me këtë rast, duke theksuar se kjo nuk duhet interpretuar si dëshmi e ndonjë përfshirjeje të institucioneve evropiane në këtë çështje.

Gjanaj ka përmendur disa hipoteza të mundshme për rastin, përfshirë mundësinë e një operacioni të organizuar migrimi nën petkun e vizitës zyrtare, por edhe mundësinë e bashkëpunimit të paligjshëm të personave brenda institucioneve.

Ai ka përmendur edhe një skenar tjetër, atë të një operacioni konfidencial të lidhur me konsiderata të sigurisë apo inteligjencës, por ka theksuar se për këtë nuk ekziston asnjë dëshmi publike.

“Megjithatë, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në lidhje me këtë pikë të fundit: aktualisht nuk ekziston asnjë element i bërë publik që do të mund ta mbështeste një hipotezë të tillë dhe heshtja e institucioneve nuk mund të përbëjë provë të përfshirjes së tyre. Pikërisht për këtë arsye, një sqarim institucional është i domosdoshëm”, ka theksuar ai.

Kërkon hetim të gjithë zinxhirit institucional

Në përfundim, Gjanaj ka kërkuar që autoritetet e Kosovës të shqyrtojnë të gjithë zinxhirin administrativ dhe institucional që ka mundësuar organizimin e vizitës, nga ftesa zyrtare dhe lëshimi i vizave deri te verifikimet në hyrje dhe informacionet për kalimin eventual të kufijve.

Sipas tij, nëse konstatohen parregullsi administrative, përgjegjësitë duhet të përcaktohen në nivelin e shërbimeve dhe zyrtarëve përkatës, ndërsa në rast të evidentimit të elementeve të veprave penale, hetimet duhet t’i takojnë prokurorisë kompetente.

Sa i përket përgjegjësisë politike, ai ka vlerësuar se ajo duhet të shqyrtohet në varësi të seriozitetit të shkeljeve dhe shkallës së përfshirjes apo neglizhencës së drejtuesve institucionalë.

“Megjithatë, nuk do të ishte as e drejtë dhe as juridikisht e bazuar të përcaktoheshin personat përgjegjës përpara se të ishin sqaruar rrethanat e kësaj çështjeje”, ka potencuar Gjanaj.

Ai ka përfunduar se rëndësia e këtij rasti nuk lidhet vetëm me fatin e nëntë shtetasve somalezë, por edhe me aftësinë e institucioneve të Kosovës për të vërtetuar faktet, për të identifikuar përgjegjësitë eventuale dhe për të ruajtur besimin e partnerëve ndërkombëtarë.

“Prandaj, rëndësia e vërtetë e kësaj çështjeje nuk qëndron vetëm në largimin e nëntë shtetasve somalezë, por në aftësinë e shtetit të Kosovës për të vërtetuar faktet, për të identifikuar përgjegjësitë eventuale dhe për të ruajtur besimin e partnerëve të tij evropianë”, ka përfunduar Gjanaj.

Të Ngjashme