Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar në prag të Forumit të Tretë Ekonomik Kosovë-Poloni, i cili do të mbahet nesër dhe pasnesër në Prishtinë.
Në këtë pritje morën pjesë përfaqësues të institucioneve, komunitetit të biznesit, ekspertë dhe ndërmarrës nga të dyja vendet.
Kurti ka theksuar se Kosova synon të rrisë prodhimin vendor dhe eksportet, duke krijuar mundësi të reja për investime dhe bashkëpunim ekonomik me Poloninë.
“Ne duam të rrisim prodhimin në vendin tonë dhe të eksportojmë sa më shumë jashtë tij. Nuk duam të jemi vetëm treg për të tjerët, por të ofrojmë produkte, shërbime dhe të bëhemi partnerë nëpërmjet investimeve në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se forumi do të përqendrohet në tri fusha kryesore: ekonominë dhe qeverisjen digjitale; mbrojtjen, sigurinë dhe teknologjitë e sigurisë kibernetike; si dhe avancimin e prodhimit, infrastrukturës dhe energjisë.
Sipas tij, këto fusha ofrojnë mundësi për shkëmbim përvojash dhe krijimin e lidhjeve të reja për zhvillim.
Kurti ka vënë në pah edhe rëndësinë e bashkëpunimit me Poloninë, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, organizata ku Kosova synon të anëtarësohet në të ardhmen.
Ai ka rikujtuar se Polonia do të marrë pjesë në takimin e G20-s në Shtetet e Bashkuara, muajin e ardhshëm.
