Lajme

Abdixhiku dhe Kurti takohen pas zhvillimeve në LDK

Pavarësisht marrëveshjes së arritur mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, gjashtë deputetë të LDK-së kanë deklaruar se nuk do ta përkrahin një ujdi të tillë.

Ky zhvillim duket se ka rikthyer në tryezën e diskutimeve Abdixhikun dhe Kurtin.

Sipas raportimeve, dy liderët janë takuar sërish pasditen e sotme në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Takimi ka nisur rreth orës 16:00.

Takimi vjen pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, ku Abdixhiku ka diskutuar me deputetët e partisë lidhur me qëndrimin e tyre për kandidaturën e Sejdiut.

Pas mbledhjes, Abdixhiku ka deklaruar se refuzimi i gjashtë deputetëve të LDK-së për ta përkrahur Bekim Sejdiun për president e çon vendin pashmangshëm drejt zgjedhjeve.

Tash mbetet të shihet nëse takimi i ri mes Abdixhikut dhe Kurtit do të sjellë ndonjë zgjidhje për situatën e krijuar apo nëse Kosova do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Të Ngjashme