Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Abdixhiku paralajmëron veprime: Do ta ndalim këtë degradim që e ka sjellë Kurti

 
   

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar veprime institucionale për të kundërshtuar veprimet e kryeministrit Albin Kurti, lidhur me situatën në veri dhe raportet me aleatët ndërkombëtar.

Vendimin që kryetarët e zgjedhur të shkojnë në objektet komunale të asistuar me policë, ai e ka quajtur aventurë të rrezikshme personale të Kurtit.

Sipas tij, në rrethanat aktuale kryetarët nuk mund të ushtrojnë mandatin e tyre në ato objekte dhe kryeministri duhet të koordinohet me aleatët për shtensionimin e situatës në veri.

Gjithashtu, ai ka kërkuar nga presidentja Osmani që mos të heshtë në lidhje me këtë situatë.

Abdixhiku, në konferencë për media, ka thënë se në kohën kur Kosova është nën sulm të vazhdueshëm nga bandat kriminale të Vuçiqit, Kurti është në sulm fatkeq ndaj miqve ndërkombëtar.

“Që prej të premtes po ballafaqohemi me një situatë të pamenduar e të paparë për një kohë të gjatë – Kosova nën sulm të vazhdueshëm nga bandat kriminale të Vuçiqit, e kryeministri i Kosovës në sulm fatkeq ndaj miqve tanë ndërkombëtar. Kjo nuk i kishte ngjarë ndonjëherë Kosovës. Sa herë kemi qenë të sulmuar nga Serbia, kemi qenë të mbrojtur nga miqtë amerikanë dhe aleatët evropianë. Sepse kemi qenë të bashkërenduar me ta. Sepse kemi vepruar bashkë me ta, sepse kemi ndarë të njëjtat vlera, të njëjtat interesa e të njëjtin vizion. Këtë përmbysje aleancash, vizioni e prioritetesh për Republikën e Kosovës askush nuk e ka dashur. Për këtë përmbysje askush nuk ka votuar. Prandaj këtu nuk mund të flasim për tjetër gjë përveç se për një aventurë tejet të rrezikshme personale të Kurtit, e cila nuk ka asnjë pikë legjitimiteti politik e demokratik. Sepse shkatërrimi i aleancës me miqtë tanë as nuk ka përputhje me vullnetin politik të popullit të Kosovës, vullnet ky historikisht properëndimor, as nuk është në interes të popullit të Kosovës interesa strategjikisht të lidhura me aleancën perëndimore e tejoqeanike”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nga sot LDK-ja do t’i përdorë të gjitha rrugët institucionale, politike e demokratike që ta ndalim këtë, siç e quajti, degradim dhe theqafje.

“Nga sot LDK-ja nuk do të sillet sikur jemi në situatë normale politike. Nga sot do t’i përdorim të gjitha rrugët institucionale, politike e demokratike që ta ndalim këtë degradim e theqafje të cilën e ka sjellë Kurti e ka instaluar në krye të ekzekutivit. Kosova ka nevojë t’i kthehet dinjiteti dhe perspektiva. Kosova ka nevojë që ta ketë të ardhmen e vet, që ta mund ta planifikojë zhvillimin e vet e mirëqenien për qytetarët e vet. Nuk mund të lejojmë që taktikat aventureske, fëmijërore e naive të Kurtit të shndërrohen në fatura për Kosovën dhe popullin tonë. Asnjë borxh nuk ia kemi Kurtit. Asnjë borxh të tijin personal nuk do ta pranojmë për Kosovën. E ardhmja politike e tij le të jetë brengë për të. Ai le të vazhdojë të mbetet peng i vetes. E ardhmja sovrane e Kosovës do të jetë preokupimi ynë kryesor dhe i vetëm. Në këtë drejtim: LDK-ja e fton Kryeministrin në seancë të jashtëzakonshme raportuese për gjendjen në Veri, dhe në veçanti për relacionet e rënduara të Republikës së Kosovës me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-të. LDK-ja kërkon koordinim të ngushtë të Qeverisë së Kosovës me kërkesat ndërkombëtare, si hap i parë drejt qetësimit të situatës në veri. Ky koordinim nënkupton bashkërendim të aktiviteteve me aleatë, nëpërmjet një dialogu të hapur e të sinqertë. LDK-ja e fton Presidenten e vendit që të flasë, të ketë pozicion të qartë dhe të zëshëm në këtë çështje jetike të përballje publike të Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e SHBA-së. Heshtja, në momente e tema si këto, nga institucioni më i lartë i vendit, është abstenim nga funksioni kushtetues”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që në koordinim me aleatët, të arrijë një zgjidhje për de-eskalimin e situatës në veri.

“Jo asnjëherë unë nuk e thash që kryetarët e zgjedhur në mënyrë demokratike të mos ushtrojnë detyrat e veta. Por po them se në momentin e tanishëm dhe gjendja e tanishme nuk lejon që këta kryetar të ushtrojnë detyrat e tyre. Ju e keni parë gjendjen atje më mirë se ne pasi keni qenë atje. Mund të kuptoni qartë se aty nuk bëhet fjalë për ushtrim normal të detyrave kushtetuese të kryetarëve atje. Të kemi të qartë pozicionin tonë, ne i kemi dhënë mbështetje institucioneve kushtetuese të Kosovës, jo Albin Kurtit…Tani po themi se nuk ka kushte për ushtrim të funksioneve dhe mos ekzistenca e këtyre kushteve nënkupton se ne duhet të punojmë mençur me aleatë. Tani çfarë do të jetë zgjidhja me aleatë duhet të jesh brenda për t’i folur dhe të bësh diskutimin në mediat ndërkombëtare. Gjendja e tanishme nuk lejon që të ketë ushtrim të detyrave kushtetuese”, ka potencuar Abdixhiku.

Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së, Anton Quni, ka thënë se veprimet e pamatura të Qeverisë e kanë sjellë përjashtimin e Kosovës nga ushtrimi ushtarak “Defender Europe 2023”.

“Rezultati i politikave të gabuara është rënie në grackën e Vuciqit. Veprimet e pamatura të Qeverisë kanë sjellë përjashtimin e Kosovës nga ushtrimi ushtarak “Defender Europe 2023. Ju kujtojmë që Defender Europe 2023, është një ushtrim i përbashkët që udhëhiqet nga Komanda Evropiane e SHBA-ve. Sjell së bashku 20 ushtri të kombeve të ndryshme. 1300 ushtarë të Kosovës janë përgatitur shumë gjatë që të marrin pjesë në këtë ushtrim, por atyre ju është larguar kjo mundësi. Synimi i këtij ushtrimi është që të fuqizohet gatishmëria dhe ineroperabilitieti mes Shteteve të Bashkuara, aleatëve të NATO-s dhe partnerëve. Ju kujtoj që NATO do të dërgojë 700 trupa shtesë në Kosovë. Kosova duhet të prodhojë stabilitet, këtë ja kemi borxh miqve që na kanë ndihmuar në rrugëtimin shtetformues. Kosova nuk duhet të bëhet konsumuese e resurseve të aleatëve, duhet të ndihmojë në stabilitet”, ka thënë ai.

Tash e tri ditë në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.

Të hënën, protestuesit, prej tyre edhe me maska, kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e situatës, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga ndërtesat komunale