Ish-deputeti Adem Salihaj ka reaguar lidhur me protestat, duke i vlerësuar si një nismë që mund të marrë karakter më të gjerë kombëtar.
Në një postim të tij, ai thotë se nëse kjo lëvizje mbetet e pastër dhe pa ndikime partiake, mund të shndërrohet në “shpresë të madhe të kombit shqiptar”.
Sipas Salihajt, një zhvillim i tillë do të përbënte një nga nismat më të rëndësishme shqiptare që nga pavarësia e vitit 1912, duke theksuar se “shpirti patriotik nuk është shuar në popull”.
Postimi i plotë:
A po lind një lëvizje e pastër kombëtare, e mbrujtur me frymë patriotike, e cila do të na gëzojë të gjithë ne shqiptarët anembanë trojeve tona etnike dhe gjithëkund në botë?
Nëse po, e deri tash, shenjat janë se është një lëvizje e pastër, pa ndikimin e partive në Shqipëri, atëherë kjo do të jetë shpresa e madhe e kombit shqiptar, e cila do ta nxjerr Shqipërinë nga llumi ku e kanë futur politikanët shqiptarë qe më tepër se një shekull. Nëse vërtetë është duke lindur kjo lëvizje e madhe, atëherë do të ishte lëvizja e parë e vërtetë shqiptare e patriotike, që nga shpallja e pavarësisë më 1912. Kjo lëvizje tregon se pavarësisht një sistemi të kalbur dhe politikanëve të shitur, në popull nuk ka vdekur shpirti patriotik shqiptar.
Kjo lëvizje do të jetë shpresa jonë e rilindur nga shpirti i rinisë së pastër shqiptare, e cila do ta ngris lart gjithë kombin shqiptar. Kombi shqiptar është komb i fuqishëm, i cili u ka qëndruar të gjitha stuhive të shekujve, ai do të ringritet edhe sot dhe do ta krijojë sërish një epokë të lavdishme.
