Aktuale

Afera e AKSHI-t “djeg” Lorena Goxhobollellin, fletë-arresti në tryezën e SPAK, drejtoresha e Kadastrës ka rënë në përgjime me Agasin, ja pazaret me tjetërsimin e pronave

Arrestimi i bujshëm i Ergys Agasit më 26 gusht shënoi goditjen më të rëndë ndaj një prej rrjeteve më të fuqishme hije të pushtetit, por prapa dyerve të mbyllura të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), stuhia sapo ka nisur. Në qendër të këtij cikli goditës është dosja e kopsitur e zyrtarëve të lartë që vunë në dispozicion të gjithë aparatin shtetëror për t’i shërbyer perandorisë financiare të Agasit.

Burime konfidenciale bëjnë me dije se fletë-arresti për Drejtoren e Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), Lorena Goxhobelli, është pothuajse gati dhe ndodhet mbi tryezën e prokurorëve të posaçëm. Sipas të njëjtave burime, hetimet intensive dhe kryqëzimi i tabulateve telefonike e kanë renditur Goxhobellin si një pjesë kyçe të “bandës së Agasit” dhe përfshirjes së saj direkte në dosjen e bujshme të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Për muaj me radhë, emri i Goxhobellit ka qenë pjesë e verifikimeve tepër sekrete lidhur me tjetërsimin e pronave, legalizimet e paligjshme dhe falsifikimin e dokumenteve zyrtare. Megjithatë, pikëpyetja që ka ngritur peshë opinionin publik është fakti se si kjo zyrtare vazhdon çdo mëngjes të hyjë në zyrat e Kadastrës Qendrore, me të drejta të plota administrimi mbi serverët, hartat, kartelat dhe gjurmët elektronike ku ndodhen provat e sekuestruara të mikut të saj, Agasit.

Përgjimet, “pazaret” e pronave dhe legalizimet brenda ditës

Zbardhja e të dhënave kompjuterike dhe transkriptet e interceptimeve telefonike flasin për një skemë me dyshime të fortë koordinimi dhe bashkëpunimi. Ndërsa qytetarët e zakonshëm sorollaten zyrave të Kadastrës për vite me radhë për një certifikatë të thjeshtë pronësie, për biznesmenin Ergys Agasi sistemi shtetëror punonte me shpejtësi marramendëse. Praktika voluminoze, verifikime në terren, genplane dhe vulosje zyrtare janë kryer, përpunuar dhe mbyllur brenda të njëjtës ditë pune.

Gjurmët dixhitale të lëna në serverët e sistemit zbulojnë oraret ekzakte të hyrjes së përdoruesve, emrat e punonjësve dhe urdhrat e marrë për të përshpejtuar legalizimet e jashtëligjshme. Në zonën kadastrale 3091 në Qeha-Shytaj të Petrelës, sekuestroja e SPAK ka identifikuar sipërfaqe masive të tjetërsuara: një sipërfaqe prej 26 mijë metrash katrorë pyll me ndërtesë 346 metra katrorë, si dhe parcela të tjera prej 5 mijë, 8 mijë dhe 9 mijë metrash katrorë mbi të cilat janë ngritur vila luksoze. Copëtimi i pyjeve dhe kthimi i tyre në truall ndërtimi u mundësua nga zinxhiri komandues që kontrollon vetë Goxhobelli.

Afera 4.5 milionë euro me AKSHI-n dhe ndërlidhja me kompanitë e Agasit

Por skandali thellohet edhe më tej me zbulimin e lidhjeve financiare me “AKSHI-n” dhe kontratat e mirëmbajtjes së sistemit elektronik të Kadastrës. Kontrata prej 4.5 milionë eurosh e fituar nga konsorciumi “Soft & Solution” dhe “Fastech” ka vazhduar zbatimin nën udhëheqjen e Goxhobellit.

Hetimet e SPAK-ut kanë zbuluar se të njëjtat kompani që administronin bazën e të dhënave të pronave të shqiptarëve dërgonin para përmes faturave fiktive drejt kompanisë “EA Solution”, e kontrolluar drejtpërdrejt nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.

Kjo lidhje ngre dyshime serioze për ndërhyrje direkte në serverë nga persona të paautorizuar për të pastruar historikun e pasurive. Dosja e hapur nga prokuroria e posaçme pritet të mbyllet me kërkesën për arrestimin Lorena Goxhobellit dhe sekuestrimin e menjëhershëm të pajisjeve të drejtoreshës së përgjithshme të ASHK, përpara se provat në serverët e Kadastrës të mund të tjetërsohen apo të fshihen përfundimisht.

Të Ngjashme