Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke vlerësuar se rezultati i arritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të paraqitet si sukses dhe se partia duhet të nisë një proces të thellë reflektimi dhe ndryshimi.
Përmes një postimi publik, Veliu tha se qytetarët kanë folur qartë me votën e tyre, ndërsa LDK-ja ka mbetur në vendin e tretë, larg pritjeve që sipas tij vetë lidershipi i partisë kishte krijuar gjatë dhe para fushatës zgjedhore.
Ai ka adresuar përgjegjësinë politike për rezultatin te kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, dhe presidentja Vjosa Osmani, të cilët i cilësoi si arkitektët kryesorë të projektit politik që, sipas tij, nisi “me hile”.
“Kur kërkohen meritat për çdo sukses, duhet të merret edhe përgjegjësia për dështimet”, ka shkruar Veliu.
Postim i plotë:
Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, përfundimisht, nuk mund të maskohet me interpretime kreative apo të paraqitet si sukses.
Qytetarët folën qartë, ndërsa LDK-ja mbeti e betonuar në vendin e tretë, larg pritjeve që vetë lidershipi krijoi gjatë fushatës zgjedhore dhe para saj.
Për dështimin e radhës, përgjegjësia politike bie para së gjithash mbi Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin, të cilët ishin arkitektët kryesorë të këtij projekti politik, i nisur në fillim me hile.
Prandaj, kur kërkohen meritat për çdo sukses, duhet të merret edhe përgjegjësia për dështimet.
U shpërfillën paralajmërimet e veprimtarëve, aktivistëve dhe figurave të shumta të LDK-së për centralizimin e partisë, margjinalizimin e mendimit ndryshe, largimin nga baza elektorale dhe së fundmi përzgjedhjen e kandidatëve sipas shijes dhe interesave personale e grupore.
Rezultati zgjedhor dëshmoi se ato shqetësime nuk ishin të pabaza.
Lidershipi aktual duhet ta pranojë dështimin e projektit të tyre për transformimin dhe përvetësimin e partisë sepse e morën përgjigjen nga elektorati.
LDK-ja ka nevojë për më shumë se reflektim formal. Ka nevojë për përgjegjësi konkrete.
Prandaj, është momenti i fundit të niset një proces zgjedhor i rregullt dhe transparent, duke hapur rrugë për figura politike që janë të dëshmuara, që gëzojnë mbështetje të gjerë dhe që interesin e partisë e vendosin mbi interesat personale apo grupore.
Një parti serioze nuk ringrihet duke festuar humbjet si fitore morale. Ajo ringrihet duke analizuar gabimet, duke rikthyer demokracinë e brendshme dhe duke vendosur standarde të qarta të llogaridhënies.
Nëse LDK-ja dëshiron të rikthejë besimin e humbur, ndryshimi duhet të fillojë nga maja e saj. Sepse partitë nuk dobësohen nga humbjet zgjedhore, por nga refuzimi për të nxjerrë mësime prej tyre.
LDK duhet t’i kthehet LDK-së dhe LDK-istëve të saj.
Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!
