Aktuale

Aksident i rëndë/ Dy makina përplasen me njëri-tjetrin, të përfshirë një grua shtatzënë dhe gjashtë fëmijë

Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Vaqarri, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën.

Sipas të dhënave paraprake, në njërin prej mjeteve ndodhej një grua shtatzënë, e cila udhëtonte së bashku me gjashtë fëmijë. Mësohet se të miturit ishin nisur për të luajtur kalçeto në momentin kur ndodhi përplasja.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, si pasojë e aksidentit, disa prej fëmijëve kanë pësuar lëndime të lehta dhe kanë marrë menjëherë ndihmën e parë mjekësore në vendngjarje.

Fatmirësisht, gruaja shtatzënë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu, nuk raportohet për persona me rrezik serioz.

Forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e sakta të aksidentit.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Informacion paraprak

Rreth orës 19:05, në Vaqarr, automjeti me drejtuese shtetasen Xh. Sh. është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. P.

Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar 6 fëmijë të mitur, të moshave 6-10 vjeç, të cilët udhëtonin si pasagjerë në automjetin që drejtohej nga shtetasja Xh. Sh., si dhe vetë drejtuesja e këtij automjeti. Të dëmtuarit po marrin mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit./Top Channel

Të Ngjashme