Aktuale

Aksident i trefishtë, plagosen disa persona! Humb jetën një person

Një aksident i trefishtë është regjistruar këtë të hënën në aksin Mitrovicë-Prishtinë. Mësohet se aksidenti ka ndodhur rreth orës 11:50 në fshatin Doberllukë të Vushtrrisë.

Nga aksidenti kanë mbetur te plagosur 6 persona të cilët janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Fatkeqësisht një nga të plagosurit nuk ka arritur t’iu mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.

Policia thekson se viktima është një i moshuar. Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

“Sot, më datë 18.05.2026, rreth orës 11:50, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, përkatësisht në segmentin rrugor në fshatin Doberllukë të Vushtrrisë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime.

Në aksident kanë qenë të përfshira tri automjete me targa civile-vendore, ndërsa gjashtë persona të lënduar në këtë aksident janë dërguar fillimisht në emergjencën e spitalit në Vushtrri. Njëri nga drejtuesit e automjeteve ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Pas marrjes së ndihmës së parë, personat e lënduar janë dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK. Rreth orës 14:00, nga mjeku është konfirmuar se, si pasojë e lëndimeve të pësuara, personi me lëndime të rënda ka humbur jetën.

Trupi i pajetë i viktimës, mashkull i moshës 74-vjeçare, me urdhër të prokurorit, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Hetuesit e aksidenteve të trafikut do të vazhdojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit”, njofton policia.

Të Ngjashme