Publicisti Spartak Ngjela ka komentuar ardhjen e ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri, Eric Wendt, duke e lidhur misionin e tij me zhvillimet në fushën e sigurisë, riorganizimin e ushtrisë shqiptare dhe raportet Shqipëri-Kosovë.
Ngjela ngre pyetjen se përse Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur një gjeneral si ambasador në Tiranë dhe nëse kjo lidhet me një riorganizim të ri të Forcave të Armatosura shqiptare.
Sipas tij, Wendt nuk vjen në Shqipëri vetëm për të administruar marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, por me një mandat ku rëndësi të veçantë kanë lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikut të drogës.
“Por në një aspekt të dytë të rëndësisë së veçantë, kuptohet se duhet të jetë riorganizimi modern i ushtrisë shqiptare ai që mendohet se do të ketë përparësi”, shkruan Ngjela.
Duke u ndalur te aspekti ushtarak, ai vlerëson se Shqipëria dhe ushtria amerikane pritet të forcojnë bashkëpunimin në një nivel të lartë në territorin shqiptar.
Në këtë kuadër, Ngjela e lidh forcimin e ushtrisë shqiptare edhe me Kosovën dhe idenë e bashkimit kombëtar shqiptar.
“Ushtria shqiptare do të vijojë të krijohet për të qenë edhe një herë tjetër ushtria më e fortë në Ballkanin Perëndimor. Dhe kjo sigurisht që do të jetë një skemë moderne për bashkimin kombëtar shqiptar: Shqipëri-Kosovë”, shprehet ai.
Megjithatë, sipas Ngjelës, në këtë proces mund të shfaqet një pengesë politike.
“Por tani kuptohet se pengesa më e madhe e këtij bashkimi kombëtar, mund të jetë Edi Rama”, shkruan ai.
Në përfundim, Ngjela e kritikon kryeministrin shqiptar, duke thënë se nëse kjo qasje vazhdon, Rama “është në një gabim historik” dhe duhet të largohet sa më parë nga ajo që ai i cilëson si “qarqe antishqiptare në Evropë”.
