Një aksident i rëndë u regjistrua pasditen e sotme në aksin rrugor Cërrik-Mollas, prej ku mbetën të vdekur dy persona, Qemal Çala, 63 vjeç dhe Drilon Tabaku, 22 vjeç.
Sipas informacioneve paraprake, ka qenë përplasja e fortë mes “Mercedez Benz”-it dhe “Smart”-it ajo që ka shkaktuar dy viktimat, të cilat ndodheshin në automjetin tip “Smart”, që drejtohej nga Çala i cili mësohet të ketë qenë mësues në shkollën “Osman Gjini”, në Mollas.
Kjo e fudnit i ka dedikuar një mesazh të trishtë në rrjetet sociale, ku teksa ngushëllojnë familjen shkruajnë: “Me dhimbje të thellë mësojmë lajmin e trishtë për ndarjen tragjike nga jeta të kolegut tonë të nderuar, Mësues Qemal Çala. Lajmi i ikjes së tij na ka tronditur dhe lënë pa fjalë. Një mësues i përkushtuar, një koleg i dashur dhe një njeri i mirë, do të mbetet gjithmonë në kujtesën dhe zemrat tona. Ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë atyre që e deshën dhe e respektuan. U prehtë në paqe shpirti i tij!”
Shoferi i makinës tjetër Sajmir Muça, 38 vjeç ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në spital. Një qen i ka “prerë” rrugën “Smart”-it që e ka shmangur dhe më pas “Benz”-i dyshohet t’i ketë ardhur nga pas me shpejtësi. Nga përplasja, “Smart”-i ka përfunduar në një tokë bujqësore, kurse “Benz”-i në një kanal anash rrugës, duke dëmtuar barrierën mbrojtëse dhe murin rrethues pranë një banese.
Njoftimi i policisë:
Në aksin rrugor “Mollas–Gostimë”, janë përfshirë në një aksident rrugor automjeti me drejtues shtetasin S. M., 38 vjeç, dhe automjeti me drejtues shtetasin Q. Ç., rreth 63 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, kanë humbur jetën drejtuesi i automjetit, shtetasi Q. Ç., si dhe pasagjeri në automjetin e tij, shtetasi D. T., rreth 22 vjeç.
Gjithashtu, është dëmtuar drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi S. M., i cili është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale dhe vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

