Lajme

​“Aksioni” në tekstil, në fokus çmimet, uljet dhe abuzimet me konsumatorët

Në kuadër të planit të punës, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar inspektimet në dyqanet e tekstilit, me fokus në respektimin e rregullave që ndërlidhen me tregtinë, produktet dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Sipas njoftimit, gjatë inspektimeve po kontrollohen dokumentacioni i biznesit, faturat dhe origjina e mallrave, çmimet, etiketimi i veshjeve, deklarimi i produkteve, promocionet dhe uljet, si dhe kushtet e shitjes dhe të kthimit të produkteve.

“Duke marrë parasysh se gjatë muajit shtator qytetarët shfaqin interesim të shtuar për blerjen e veshjeve për sezonin e vjeshtës, ndërsa shumica e bizneseve të tekstilit zhvillojnë aksione promocionale, IQMT e konsideron të domosdoshëm intensifikimin e inspektimeve gjatë sezoneve të veçanta të vitit, me qëllim të sigurimit të mbrojtjes së konsumatorëve nga praktikat e padrejta dhe abuzimet e mundshme”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, po ashtu fokus i veçantë gjatë këtyre inspektimeve po i kushtohet verifikimit të çmimeve, përkatësisht nëse produktet kanë çmime të shënuara qartë dhe nëse çmimi i aplikuar në arkë përputhet me çmimin e ekspozuar ose me çmimin e promovuar përmes aksioneve promocionale.

“Inspektimet lidhur me dokumentacionin e biznesit, faturat, deklaracionet dhe çmimet e produkteve të tekstilit do të përfshijnë edhe bizneset që ushtrojnë veprimtarinë e shitjes online”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, në baza ditore, pranon ankesa nga qytetarët, të cilët raportojnë raste të mospërputhjes ndërmjet çmimit të shënuar dhe çmimit të llogaritur në arkë. Për këtë arsye, çdo mangësi apo shkelje e konstatuar gjatë inspektimeve do të trajtohet në përputhje me masat ndëshkuese të përcaktuara me Ligjin për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.

Të Ngjashme