Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Aktakuzë ndaj katër personave për kryerje të veprës terroriste në zyrat e KKZ-së

 
   

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) njofton se ka ngritur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamenti Special, aktakuzë kundër katër të pandehurve M.M., A.V., D.P dhe M.V., për kryerje të veprës terroriste.

Në njoftimin e PSRK-së, thuhet se katër të akuzuarit ngarkohen se në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, për të pamundësuar zgjedhjet lokale, derisa zyrtarët e KQZ-së kanë shkuar për të hapë zyrën, të pandehurit bashkë me të tjerë kanë kryer sulm terrorist, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit M.M, A.V, D.P dhe M.V., në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhorë në Mitrovicën e Veriut në rrugën “Kollashinska”, me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, të detyrimit të padrejtë të një organi publik në këtë rast KQZ-së, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës, për derisa zyrtarët e KQZ-së, së bashku me zyrtarë policorë kanë shkuar për të hapë zyrën, këta të pandehur me persona të tjerë ende të pa identifikuar kanë kryer sulm terrorist duke hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba në drejtim të zyrës së lartë përmendur”, thuhet në njoftim.

Sipas PSRK-së, me këtë rast, njëra granatë dhe dy shok bombat kanë shpërthyer ku si rezultat i kësaj janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, si dhe është rrezikuar seriozisht jeta e zyrtarëve të KQZ-së, dhe zyrtarëve policorë.

Me këtë, ngakrohen se në bashkëkryerje të pandehurit M.M, A.V, D.P dhe M.V., kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste’’ nga neni 129, paragrafi 1 lidhur me nenin 128 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.