Gazetari Gëzim Mekuli ka reaguar pas paralajmërimit të Ambasadës së SHBA-së për mundësinë e trazirave më 16 shtator, duke bërë thirrje për qetësi dhe maturi qytetare.
Mekuli thotë se vendimet gjyqësore duhet të kundërshtohen përmes mjeteve juridike dhe institucioneve, e jo përmes dhunës dhe kaosit. Ai thekson se çdo përpjekje për destabilizim do t’i bënte dëm Kosovës dhe mund t’i shërbente propagandës së Beogradit.
Sipas tij, 16 shtatori duhet të jetë ditë e dinjitetit dhe jo e kaosit, ndërsa Kosova duhet të ruajë paqen, institucionet dhe marrëdhëniet me aleatët.
Shkrimi i plotë:
Alarmi i SHBA-së për 16 shtatorin: Kujt i shërben kaosi në Kosovë?
16 shtatori nuk duhet të jetë ditë e kaosit, e dhunës, e kërcënimeve dhe e «kalljes së Kosovës». Po, e pasnesërmja mund të jetë ditë e dhimbshme, e rëndë dhe emocionalisht e vështirë për shqiptarët normal, por pikërisht në ditë të tilla matet pjekuria politike dhe qytetare i një kombi.
Si themelues i MekuliPress, kam qenë ndër ata që kanë reaguar shumë më herët, me shkrime, analiza dhe edhe me pjesëmarrjen time fizike në protesta, kundër krijimit të kësaj gjykate një-etnike.
Reagimi duhej të ishte bërë atëherë, para se ajo të formohej dhe të merrte mbështetje politike e institucionale; Atëherë ishte koha për ta kundërshtuar. Sot, kur gjykata ekziston dhe procesi është zhvilluar në kuadër të një sistemi juridik, thirrjet për trazira, kërcënimet dhe «kalljen e Kosovës» nuk e ndryshojnë vendimin e gjykatës me 16 shtator; përkundrazi, mund t’i bëjnë dëm Kosovës tonë të dashur.
Prandaj, çdo përpjekje (tinzare apo e hapur) për të shkaktuar tollovi, dhunë apo destabilizim më 16 shtator duhet kundërshtuar sinqerisht dhe bashkarisht. Kush mendon se me kaos e rrëmujë mbron UÇK-në dhe Kosovën, duhet ta ketë të qartë se Kosova nuk mbrohet duke e dëmtuar vetë Kosovën.
Edhe kërcënimet primitive ndaj NATO-s sikurse deklarata e deputetes Ganimete Musliu se «edhe NATO ka me dhënë përgjegjësi pse e ka përkrahur një organizatë të tillë dhe një shtet të tillë» janë të papërgjegjshme dhe politikisht fort të papjekura dhe të rrezikshme. Kritika është legjitime; ama kërcënimi, nxitja e tensioneve dhe nxitja e përleshjeve nuk janë mjete për ta mbrojtur Kosovën. Kosova nuk ka nevojë të paraqitet para botës si vend i paaftë, i prapambetur dhe primitiv për ta përballuar një vendim gjyqësor pa rënë në anarki kolektive.
Të nderuar lexues,
Pikërisht për këtë arsye, paralajmërimi i Ambasadës së SHBA-së duhet të na bëjë të ndalemi dhe të mendojmë: pse një ambasadë mike po paralajmëron qytetarët e saj amerikanë për mundësinë e trazirave në Kosovë? Amerika është mike dhe aleate e Kosovës; është marre për ne që një ambasadë mike të detyrohet t’u paralajmërojë qytetarëve të saj të shmangin shkollat, vendet e punës dhe zonat e protestave, nga frika e kaosit dhe protestave të mëdha në Kosovë; kjo nuk është pamje e as retorikë që i duhet Kosovës.
Në vendet demokratike, vendimet gjyqësore, edhe kur janë të papëlqyeshme dhe shkaktojnë zemërim të madh, kundërshtohen përmes argumenteve juridike, mjeteve të ankesave dhe institucioneve. Pikërisht këtu qëndron dallimi mes qytetarisë dhe anarkisë.
Faik Konica ynë që moti kishte thënë: «Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh.» Ndoshta sot duhet ta lexojmë këtë fjali jo vetëm si kritikë ndaj tjetrit, por edhe si një pyetje ndaj vetes: a po reagojmë për drejtësi, apo vetëm po reagojmë me ja ba qejfin një grushti njerëzve dhe disa mediave?
Unë kam qenë kundër kësaj gjykate një-etnike që në fillim; nuk kam pritur 16 shtatorin për ta kundërshtuar e për ta thënë këtë që po e them sot. Por në ditë të sotit, kur kjo është realitet juridik, përgjigjja duhet të jetë qytetare, politike dhe juridike; jo anarki, jo ndjenja, jo reagime impulsive.
Konsekuent deri në pikë të fundit: Kujt i duhet një Kosovë e «kallur» më 16 shtator? Prishtinës apo Beogradit? Kujt i shërben kaosi: mbrojtjes së UÇK-së apo propagandës së Beogradit të moçëm që përnatë e përditë provon ta paraqesë Kosovën si shtet të dështuar, shqiptarët si të dunshëm, të kallur e të paaftë për të respektuar ligjin e shtetin?
Ndoshta kjo është pyetja që çdo shqiptar me dy palë mend në krye duhet t’ia bëjë vetes para se të bëhet pjesë e një turme të manipuluar.
Shkurt e shqip; Kosova nuk mbrohet duke e «kallë» e duke e kërcënuar «NATO-n për përgjegjësi»; Kosova jonë mbrohet duke ruajtur paqen, duke respektuar ligjin, duke mbrojtur institucionet dhe duke qëndruar e bashkuar me aleatët e saj.
Mentë në krye e mos u hallakatni; 16 shtatori le të jetë ditë e dinjitetit, jo ditë e marres.
