Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deputeti nga Aleanca, Ramush Haradinaj, si dhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i janë bashkuar “Marshit për Liri” që po mbahet sot në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Haradinaj dhe Ahmeti janë parë mes pjesëmarrësve të marshit, i cili ka mbledhur qytetarë nga Kosova dhe trevat shqiptare.
Në mesin e pjesëmarrësve janë edhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët po marrin pjesë në marsh së bashku me qytetarë dhe figura të tjera politike.
Përveç, qytetarëve të shumtë, edhe deputetët e LVV-së, Shqipe Selimi, Adnan Rrustemi, Driton Hyseni dhe Sali Zyba po marrin pjesë në marsh.
“Marshi për Liri” po zhvillohet në Prishtinë në prag të vendimit në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, ndërsa në qendër të Prishtinës janë mbledhur qytetarë me pankarta dhe flamuj në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Marshi po vijon në qendër të Prishtinës, ndërsa gjatë aktivitetit priten edhe deklarata të figurave politike dhe organizatorëve.
