Lajme

Ambasada britanike reagon për ndryshimet në Ligjin për Specialen

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka reaguar lidhur me synimin e Kuvendit të Kosovës për të votuar sërish ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke shprehur shqetësim për përmbajtjen e amendamenteve të propozuara, shkruan “Bota sot”.

Në reagimin e publikuar, Ambasada britanike vlerëson se ndryshimet e propozuara nuk do t’u shërbejnë interesave thelbësore të Kosovës dhe mund të ndikojnë në marrëdhëniet e vendit me partnerët dhe mbështetësit ndërkombëtarë.

Ambasada ka theksuar se i kupton reagimet e krijuara pas aktgjykimeve të fundit, ndërsa ka rikujtuar rëndësinë e respektimit të zotimeve ndërkombëtare, llogaridhënies, drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

“Ne kemi marrë plotësisht parasysh fuqinë e ndjenjave që kanë shkaktuar aktgjykimet e fundit. Besojmë se qëllimet e Kosovës mund të shërbehen më së miri duke siguruar që Kosova të vazhdojë të respektojë zotimet e saj ndërkombëtare dhe përkushtimin ndaj llogaridhënies, drejtësisë dhe sundimit të ligjit”, thuhet në reagim.

Po ashtu, Ambasada britanike i ka bërë thirrje Kuvendit që të zhvillojë konsultime të mëtejshme me institucionet vendore, Bashkimin Evropian dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë, para se të marrë vendim për këtë çështje.

“Ne e inkurajojmë Kuvendin që të marrë kohë për konsultime të mëtejshme, brenda vendit dhe me BE-në dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë, për të gjetur një zgjidhje më të mirë”, thuhet në reagim.

Të Ngjashme